Për të 18-ën herë deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për të vazhduar seancën për konstituimin e përbërjes së nëntë nëntë parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca pritet të nisë në orën 10:30.
Në seancën e 17-të majit kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga partitë politike të propozojnë nga një përfaqësues për mbarëvajtjen e votimit të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin e ri. Sërish, PDK, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan ta propozonin një përfaqësues.
Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve. Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit. Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.
Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit. Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.