Ditën e sotme në qytetin e Korçës do të zhvillohet takmi mes ministrit të jashtëm grek Nikos Kotzias dhe ministrit të jashtëm të vendit tonë Ditmir Bushatit.
Por ndryshe siç bëri Nikos Kotzias që e çoi delegacionin shqiptar në Ishullin grek në Kretë, Ditmir Bushati ka vendosur ta presë atë në Korçë, pak kilometra nga toka greke.
Dy ministritë nuk kanë bërë publike axhendat po mësohet se ministrat do të jenë duke diskutuar kokë më kokë, ndërsa grupet e punës ballë për ballë në të njëjtin ambient.
Një nga temat më të nxehta të diskutimit pritet të jetë çështja çame. Por do të ketë diskutime edhe për kufirin detar, ligjin e luftës, dhe varrezat greke në vendin tonë. Në fund të takimit, ditën e dielë pritet të ketë një deklaratë te përbashkët për mediat.
Sjellim në vëmendje që në Kretë në deklaratën pas takimit, u theksua se te dy palët pranuan rëndësinë që ka dialogu për zgjidhjen e çështjeve të mbartura pezull.
Mbrëmjen e djeshme në “Fax News” kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi i ka bërë thirrje Bushatit që gjatë takimit me ministrin grek Nikos Kotzias në Korçë e ka detyrim kushtetues që të veprojë me reciprocitet,
“I bëj thirrje Bushatit se e ka detyrim kushtetues që të veprojë me reciproritet”, duke ironizuar se nëse Bushti nuk vepron në këtë mënyrë “ Kotzias do ti këndojë Dhimitrit, jo Ditmirit”.
Idrizi deklaroi se edhe në takimin e parë u tha nga qeveria shqiptare se thjeshtë ishte biseduar por më vonë doli që ishin marrë vesh për varrezat e ushtarëve grekë.
I pyetur nësë PDIU do të kalojë në opozitë Idrizi ka shmangur përgjigjen e drejtpërdrejtë por ka thënë se ka kontakt me të gjithë spektrin politik në vend sepse i duhet mbështetje për kauzën e kësaj partie.(J.V/Faxweb)