Vetëm pak minuta më parë, u bë i ditur lajmi se ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina, ka shkarkuar nga detyra drejtoreshën e Zyrës së Arsimit në qytetin e Vlorës, Albana Hodaj, e cila akuzohet për përfshirje në fushatë elektorale.
Por si u përzgjodh Hodaj në krye të këtij posti më 1 dhjetor të 2013-ës, atëherë kur Lindita Nikolla shprehej për përzgjedhje në bazë të meritave.
Në atë kohë, Lindita Nikolla hodhi poshtë akuzat se drejtorët ishin përzgjedhur më parë duke bërë që konkursi të ishte thjesht një farsë. Ndërkohë që sot, tri vite e gjysmë më pas, Albana Hodaj shkarkohet nga ky post për shkak të moszbatimit të etikës së punës dhe veprimtarisë së saj kundër ligjit duke u përfshirë në fushatë.
“Nëse ky konkurim do të ishte një farsë e stisur, unë do të kisha emëruar drejtoren e re të qarkut të Vlorës dhe gjithë qarqeve të tjera në Shqipëri edhe kur Komisioni Ad Hoc i zgjedhur për këtë konkurs, paraqiti drejt meje tre emrat e kandidatëve që ishin shfaqur me rezultatet më të mira në konkurrimin me dosje, testimin me shkrim dhe testimin me gojë. Por as kjo nuk ndodhi. Ne nuk i kemi paracaktuar drejtorët e rinj të drejtorive arsimore, pasi ne do i kishim vënë në punë menjëherë pasi erdhëm në pushtet. Unë hoqa dorë publikisht nga kjo e drejtë që më jepte ligji.” u shpreh Nikolla ndër të tjera.
(XH.A/SHUPLAKA)