Ylli i Kombëtares Kristian Asllani fotografohet në qytetin e tij të lindjes, Elbasani
Ylli i Kombëtares Kristian Asllani është parë këtë të premte në qytetin e tij të lindjes , Elbasanin. Ai nuk i ka shpëtuar syrit të “paparacëve” teksa është parë duke blerë ëmbëlsira në një nga pasticeritë e qytetit. Menjëherë është përshëndetur nga qytetarët elbasanas të cilët kanë përfituar nga rasti për të shkrepur foto me të.
Kujtojmë se Asllani është shndërruar në lojtarin më të dashur jo vetëm për skuadrën kuqezi, por dhe në kampionatin Italian ku 21-vjecari luan me Interin, por dhe më tej. Madje në ndeshjen e Shqipërisë me ishujt Faroe futbollisti nga Elbasani spikati teksa shënoi një gol spektakolar në minutën e 51-teksa e dërgoi topin në trekëndësh.
Jo vetëm kaq por goli i Asllanit është seleksionuar nga UEFA në listën e golave më të bukur të raundit të tretë të ndeshjeve në Ligën e Kombeve, duke marrë deri më tani më shumë se 90 % të votave të publikut.
E shkuara e Kristian Asllanit
Babai i tij, Gentjani, punonte me një makinë transporti, por edhe ai si shumë shqiptarë të tjerë, vendosi t’i hipte anijes nga Vlora për në Leçe për të zbarkuar në Itali me pritshmëri më të mëdha se Shqipëria që po linte pas. Pasi punoi në Rimini e Piza dhe fitoi disa para, ai u kthye në familjen e tij. Kristjan Asllani “shkeli” për herë të parë në Itali kur ishte vetëm 16-muajsh (babai nuk e kishte parë të lindte).
Ai nisi të luante futboll kur ishte 5-vjeç me skuadrën e vogël të Butit, fshatit ku jetonte. Skuadrat inferiore të Fiorentinës trokitën në derën e tij, por ai vendosi të kalonte tek Empoli, ku luante një nga lojtarët e rëndësishëm të Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj. Që nga ajo kohë i riu me origjinë nga Mollasi i Elbasanit ka rrugëtuar dhe pësuar rritje në karrierën e tij sportive, pavarësisht moshës së tij.