Struktura e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka dërguar për gjykim dosjen e Agim Locit, i cili akuzohet se ka tentuar blerjen e votave për vajzën e tij në zgjedhjet e 14 majit. E bija e Locit ishte kandidate për Këshillin Bashkiak të Vorës. Sipas SPAK Agim Loci ka paguar një person me 10 mijë lekë që të votonte në favor të vajzës së tij.
NJOFTIMI I SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.105, të vitit 2023, ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim në ngarkim të të pandehurit:
Agim Loci, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal. Nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se, i pandehurit Agim Loci, është angazhuar në fushatën e zgjedhjeve vendore të datës 14 Maj, të vitit 2023, për bashkinë Vorë, ku shtetësja A. L., e bija e të pandehurit Agim Loci, ishte në listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak, si pjesë e një prej koalicioneve pjesëmarrëse në zgjedhje.
Hetimi ka evidentuar se, i pandehuri Agim Loci, i ka ofruar shtetasit A.K. shumën monetare në vlerën prej 10 000 (dhjetë mijë) lekë, për të ndikuar në vullnetin e tij, në mënyrë që të votojë një subjekt të caktuar politik në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, që janë zhvilluar në datën 14 Maj, 2023 (Bashkia Vorë).