Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme aktet shtesë të kërkuara nga GJKKO, ndërsa prokurorja Manjola Kajana ka kërkuar sërish që çështja ndaj deputetit Asllan Dogjani të kalojë për gjykim.
Mbrojtësi ligjor i Dogjanit, avokati Përparim Kulluri, kërkoi kohë për të paraqitur kundërshtimet ndaj kërkesës së SPAK, kërkesë që u pranua nga gjykata. Seanca e radhës paraprake është caktuar për datën 8 maj.
Deputeti demokrat Asllan Dogjani akuzohet nga SPAK për veprën penale të “refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë”, në lidhje me një apartament rreth 100 metra katrorë, për të cilin ai pretendon se e ka përfituar si shpërblim për këshillim juridik.
Megjithatë, sipas organit të akuzës, apartamenti është blerë nga Dogjani për një vlerë rreth 126 mijë euro, shumë të cilën ai dyshohet se e ka paguar cash.
Më herët, Dogjani është shprehur se kallëzimi penal ndaj tij është bërë nga ndërtuesi Ilirjan Çelaj, të cilin ai e ka cilësuar si “zaptues”, pasi e ka paditur më parë për pushtimin e hapësirës publike përpara pallatit ku banon, duke e kthyer në një parkim me pagesë.