Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lexuar konkluzionet përfundimtare në gjyqin ndaj Islam Sefës, i akuzuar për “trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të një grupi kriminal.
Prokuroria kërkoi 17 vite burgim për Sefën, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar pritet të reduktohet në 11 vite e 4 muaj burg.
Sefa u arrestua në korrik të vitit 2024, vetëm 100 metra larg godinës së SPAK, ku kishte shkuar për një takim me avokatin e tij.
Sipas SPAK, ai ka qenë drejtues dhe financues i të paktën nëntë episodeve të trafikut të drogës në Gjermani, me një vlerë totale që arrin në rreth 3.3 milionë euro.
Hetimet dhe provat e mbledhura nga autoritetet shqiptare dhe ato gjermane kanë zbuluar një rrjet të mirëorganizuar të trafikut ndërkombëtar, ku Sefa kishte një rol kyç në menaxhimin dhe financimin e aktiviteteve kriminale.