Tre zyrtarë të bashkisë Tropojë, të cilët kanë marë pjesë në dy procedura tenderuese të shpallur nga ky institucion, janë marë të pandehur nga prokuroria e Posaçme SPAK, për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera apo ankandeve publike”.
Zenel Çela, specialist i lartë, Ramiz Bardhi me detyrë specialist i Lartë dhe Rexhep Ismajlisufaj me detyrë ekonomisht, gjatë fazës së hetimeve kanë pranuar fajësinë dhe nisur nga kjo situatë SPAK i ka marë të pandehur duke i dërguar në gjykatë.
Tre të pandehurit, ish-zyrtarë të bashkisë Tropojë kanë pranuar autorësinë e krimit duke lidhur marëveshje fajësie me SPAK, ku Zenel Çela, pranon të dënohet me 1 vit burgim por ky dënim me burg të konvertohet me dy vjet shërbim prove, ku gjatë kësaj kohe i dënuari të mos kryejë asnjë vepër penale.
Më të njëjtën masë dënimi kanë dakordësuar për tu dënuar dhe dy të pandehurit e tjerë, Ramiz Bardhi dhe Rexhep Ismajlisufaj.
Sipas dosjes hetimore tre zyrtarët kanë abuzuar gjatë fazës së drejtimit të komisionit të vlerësimit të ofertave në dy procedura tenderuese të shpallura nga bashkia Tropojë.
E para lidhet rikonstruksionin e gjimnazit “Asim Vokshi” dhe palestër, plus terrene sportive dhe sistemime të jashtme me fond limit mbi 53 milionë lekë.
Ndërsa tek e dyta bëhet fjalë për rikonstruksionin e shkollës “Tinka Kurti” në fshatin Lekbibaj.
Në të dyja këto procedura tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave në kushte të paqarta dhe pamotivuara, kanë përjashtur në mënyrë të qëllimshme Bashkimin e Operatorëve “Halili 1” dhe “Shëndëlli”, kompani këto që administrohen nga Kujtim Byberi dhe Yzedin Bozhaj.
Sipas SPAK, funksionarët e bashkisë Tropojë me vendimarjen e tyre kanë favorizuar në procedurën e rikonstruksionit të gjimnazit “Asim Vokshi”, subjektin “4 A-M” që zotërohet nga Ardit Metaliaj.