SPAK ka nisur hetimet për abuzimin fondeve IPARD. Sipas SPAK, hetimi ndodhet në fazën e verifikimit paraprak.
Në korrik, Komisioni Evropian ndërpreu përkohësisht fondet për Shqipërinë në kuadër të programit IPARD 2, që përdoret për mbështetjen financiare të projekteve në bujqësi.
Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural reagoi duke u shprehur se programi nuk është ndërprerë dhe se procedura hetimore është normale.
I ftuar në një intervistë për FaxNews me gazetarin Egon Loli, ka qenë eksperti i bujqësisë, Eduart Sharka.
Sipas tij, nisja e hetimeve është një lajm i mirë, pasi nëse do hetimi do të përmbyllet me sukses, do të ishte një kontribut në rritjen e besueshmërisë ndaj institucioneve shqiptare, duke qenë se e vetmja hallkë që ka ngelur për të kryer këtë hetim është SPAK.
Eksperti, thotë se është hera e parë, që ndodh ndërhyrja e Komisionit Evropian në pezullimin e fondeve IPARD, kjo sipas tij, tregon se ka pasur abuzime të mëdha. Nëse nuk do të ishte një situatë kaq e rëndë, Sharka tregon se ekzistonte dhe mundësia e masës së korrigjimit, por është parë e arsyeshme, në bazë të të dhënave nga zyra e OLAF-it, se duhej bërë një pezullim.
Për më tepër, eksperti shpjegon që 2 vite më parë, ka ardhur një raport nga OLAF për të bashkëpunuar me prokurorinë shqiptare, por duke mos pasur kompetencat është kaluar te Prokuroria e Tiranës për t’u mbyllur më pas si çështje.
Eduart Sharka: Hetimi i SPAK është një lajm i mirë, është një mundësi, nëse do të bëhet e një hetim serioz, pasi do të ndikojë në rritjen e besueshmërisë në institucionet shqiptare. Duke nxjerrë përgjegjësitë penale, do të japë një shenjë që në Shqipëri ka institucione që mbrojnë interesin financiar të fondeve të BE-së.
Kjo që ka ndodhur ka dëmtuar shumë kredibilitetin e institucioneve shqiptare për menaxhimin e fondeve IPA. Në rastin tonë ishte e akredituar AZHBR. Është hera e parë që ndodh pezullimi i fondeve IPARD. Ka pasur rikuperime të fondeve, që Ministria e Bujqësisë kërkon ta kamuflojë. Rikuperimi i fondeve ndodh kur agjencitë e tjera, konstatojnë parregullsi. Ndërhyrja e Komisionit Evropian është hera e parë që ndodh. Pezullimi u bë sepse Komisioni Evropian, nga të dhënat e zyrës së OLAF-it, u kuptua që po abuzohej dhe për të ndaluar këtë morën masën e pezullimit.
Në dijeninë time, OLAF ka kërkuar pra dy vitesh bashkëpunim me prokurorinë shqiptare, i ka dërguar materialin, por për mungesë kompetence janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës dhe atje janë mbyllur. Ky raport besoj i është çuar dhe SPAK-ut dhe mund të ketë qenë indicie për nisjen e hetimeve. Para disa ditësh, zyrat e AZHBR-së, kanë çuar 10 shkresa për rikuperimin e fondeve, do të thotë që në raportin e OLAF-it tregohet se janë bërë abuzime.
Këtë e tregon masa e marrë, sepse para se të bëhet pezullimi i fondeve ka dhe masë korrigjimi.
Fondet e dhëna nga Bashkimi Evropian për bujqësinë në Shqipëri gjatë viteve 2014-2020 janë bërë objekt hetimesh nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi se si masë parandaluese, ka vendosur ndërprerjen e përkohshme të fondeve për zbatimin e programit IPARD II.
Programi IPARD është mbështetja financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së, në masën 75% dhe qeverisë shqiptare në masën 25%.
Zbatimi i programit është përgjegjësi e Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, AZHBR. Programi Ipard II, ka një fond total prej 94 milionë eurosh të ndarë sipas viteve nga 2014 deri në vitin 2020.
Financimet në masën 71 milionë euro nga BE, dhe 23 milionë euro nga shteti shqiptar, janë dhënë për investime në asetet fizike në fermat bujqësore, investime në asetet fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe peshkimit, diversifikimin e fermës dhe zhvillimi biznesit dhe asistencë teknike në këto sektorë.
(Xh.H/FaxWeb.al)