Tre vite kanë kaluar nga miratimi me 140 vota në Parlament të reformës në drejtësi. Vendimi u prit me entuziazëm nga ndërkombëtarët, të cilët e duartrokitën jo pak.
Tre vite më vonë, Vettingu ka fshirë nga sistemi i drejtësisë një numër të madh prokurorësh e gjykatësish, të cilat kanë rezultuar të papërshtatshëm për të vijuar punën, ndërsa kanë dalë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Statistikat flasin për një numër të konsiderueshëm të personazheve të drejtësisë, të cilët janë jashtë sistemit.
Shkalla e parë e vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, që prej vendimit të parë e deri më sot ka kalur në sitë një numër prej 188 prokurorësh e gjyqtarësh, duke dhënë në këtë mënyrë 188 vendime.
81 vendime janë konfirmime në detyrë, ndërsa 68 janë shkarkime nga detyra. 14 vendime kanë qenë ndërprerje për procesin e Vettingut pas dorëheqjeve që vetë subjeketet kanë bërë nga sistemi i drejtsisë, 8 vendime janë pushim procesi, 16 vendime pa një vendim përfundimtar dhe një vendim për pezullim nga detyra dhe rikthim edhe njëherë tjetër në shkollën e magjistraturës.
Më i vështiri për t’u kaluar ka qenë Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë e vettingut, aty ku janë dhënë deri më tani vetëm vendime negative.
Vendimi për shkarkimin nga detyra të Antoneta Sevdarit, anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk u prit mirë. Në një reagim të mëvonshëm të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, shkarkimi i saj u cilësua i tepruar pasi ajo akuzohej indirekt, për faje të bashkëshortit.
Ndërkohë, 32 vendime janë dhënë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili ka rezultuar një ferr për të gjithë prokurorët dhe gjykatësit që janë ankimuar nga ana e Komisionerit Publik, asnjë nuk ka kaluar, asnjë nuk ka arritur të rikonfirmohet në detyrë, ndërsa emra të njohur janë tashmë jashtë sistemit me vendim të formës së prerë. Dy gjykatat kryesore në vend kanë mbetur jashtë funksionit.
E para ishte Gjykata Kushtetuese, e cila u shkërmoq pak e pak, së bashku me kryetarin Bashkim Dedja, duke mbetur me vetëm një anëtar.
Pak muaj pas daljes nga funksioni të Gjykatës Kushtetuese, do të ishte radha e Gjykatës së Lartë të humbiste funksionin. Shkarkimi nga detyra të anëtarit të saj, Edmond Islamaj, do të linte Gjykatën Supreme të pafuqishme për të marrë vendime, e mbetur me vetëm 2 anëtarë, kreun e saj, Xhezair Zaganjori dhe Ardian Dvoranin, i cili e ka kaluar zyrtarisht vettingun. Por kjo situatë nuk do të zgjaste shumë. Pak javë më vonë jashtë sistemit të drejtësisë do të përfundonte edhe kreu i Gjykatës së Lartë.
Xhezair Zaganjori paraqiti pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit një numër të madh provash për të justifikuar pasurinë, por që ishin të pamjaftueshme për të dhënë një vendim pozitiv për kreun e Gjykatës së Lartë.
Vettingu nuk do të linte rehat edhe njëherë tjetër Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Pas shkarkimit të Antoneta Sevdarit, do të ishte radha e një tjetër anëtari, për të cilin Komsionieri Publik kërkoi shkarkimin nga detyra.
Me fillimin e muajit shtator pritet që kryeprokurorja e përgjithshme e përkohshme, Arta Marku, të hap garën për të plotësuar vendin vakant të lënë nga Gentian Osmani pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Pas afatit për aplikimet e kandidatëve do të jetë asambleja e prokurorëve, e cila do të zgjedh anëtarin e ri, duke plotësuar këshillin.
Ndërkohë, tashmë ka filluar puna për ngritjen e dy gjykatave kryesore, asaj Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme. Por nuk do të jetë një punë aspak e lehtë, ndërsa parashikohen muaj të tjerë pa funksionimin e këtyre dy gjykatave. Vettingu sërish vijon të mbetet një pengesë për vijimësinë e punës, ndërsa kandidatja për Kushtetuese, Anila Kristani, akoma nuk ka një datë kur pritet të dalë në seancë publike në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
E njëjta gjë ndodh edhe me Gjykatën e Lartë. Për këtë të fundit Këshilli i Lartë Gjyqësor, për shkak të pesë ekstradimeve ka caktuar përkohësisht Albana Boksin dhe Sokol Binaj si gjyqtarë që do të gjykojnë vetëm pesë dosje emergjente ekstradimesh.
Në shtator KLGJ, pas vettingut që do të kryej për kandidatët jo gjyqtarë, emrat do t’ia kalojnë presidentit. Katër emra të rëndësishëm kanë aplikuar, ndërsa bëhet fjalë për Theodhori Sollakun, Irena Ninon, Ilir Pandan dhe Ardita Alsulan.
Fillimi i vjeshtës, përtej punës për ringritjen e dy gjykatave kryesore në vend, do të jetë i vrullshëm edhe për kryeprokurorin e ri të përgjithshëm. Në krye të organit të akuzës qëndron si e përkohshme Arta Marku, ndërsa tashmë pritet që të kemi një kryeprokuror me mandat të plot.
Për kreun e akuzës tashmë janë katër kandidatë në garë, të cilët garojnë me njëri-tjetrin.
Kryeprokurorja e përgjithshme e përkohshme, Arta Marku synon një mandate të plotë në krye të organit të akuzës, ndërsa duket se është më e favorizuara për të marrë kreun, edhe pse garon me emra të rëndësishëm. Ish-kryeprokurori i Prokurorisë për Krime të Rënda, Olsian Çela është konkurenti i saj direkt, edhe për faktin se ka kaluar shkallën e parë të vettingut pa asnjë kontestim, duke e cilësuar të denj për vijimësinë për në sistemin e drejtësisë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të kryej vetë vetting për Lulzim Allushajn, i cili ëhstë avokat. Nga ana tjetër, Arta Marku dhe Fatjona Memaçaj kanë kaluar tashmë vettingun dhe nuk janë pengesë për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.
Njëlloj siç ka bërë në rastin e Prokurorisë së Posaçme SPAK, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bëjë pikëzimin për katër kandidatët për kryeprokuror. Pas kësaj procedure, emrat renditur i kalojnë Parlamenti, i cili zgjedh kryeprokurorin e ri me shumicë të cilësuar votash.
Gjasat janë që kryeprokurori i ri i përgjithshëm të zgjidhet me votat e mazhorancës dhe opozitës parlementare, duke bashkuar votat me një konsensus të përbashkët. Por edhe nëse një gjë e tillë nuk ndodh, emri i parë i renditur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë emërohet kryeprokuror i ri i përgjithshëm, ashtu siç është cilësuar edhe në Kushtetutë.
Përgjatë mandatit si e përkohshme në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Arta Marku është kontestuar nga opozita dhe jo vetëm. Zgjedhja e saj me 69 vota dhe mbi të gjitha e pa cilësuar nga Kushtetuta për një kryeprokuror të përkohshëm ka shoqëruar prej dhjetorit të 2017-ës me hije dyshimi të gjithë punën e saj. Përgjatë mbretërimit të saj tek organi i akuzës kanë kaluar me dhjetëra ngjarje kriminale, për të cilat jo pak është akuzuar. Madje, Arta Markut, siç duket ia kanë problemin edhe gazetarët, ashtu siç do të shprehej në analizën vjetore të Prokurorisë për Krime të Rënda.
Përtej skandaleve të dosjeve 339 dhe 184, me gjasë Arta Marku do të arrij të gëzoj emrin Prokurore e Përgjithshme, me një mandat të plotë, edhe pse prej muajsh tashmë ia ka dhënë të drejtën vetes të quhet e tillë në ëebfaqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme.
Shtatori pritet të vij me punë edhe për krijimin dhe ngritjen e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e thënë ndryshe si SPAK.
Janë 15 kandidatë që tashmë janë renditur dhe vlerësuar nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por për një pjesë të tyre akoma nuk ka përfunduar vettingu, duke çuar në vonesa. Në listën me 15 prokurorë bien në sy emra të rëndësishëm, ndërsa më i kuotuari për të marrë drejtimin e SPAK është Altin Dumani, i cili ka kaluar shkallën e parë të vettingut pa asnjë kontestim në asnjërën prej tre shtyllave të hetimit të KPK-së.
Renditja që KLP ka bërë vijon me prokurorët Anton Martini, Elisabeta Imeraj, Arben Kraja, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Manjola Kajana, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini, Ndini Tavani, Behar Dibra, Anita Jella dhe Besnik Muçi. Krijimi i SPAK nuk do të jetë aspak i lehtë pasi edhe pse një pjesë e kandidatëve kanë kaluar vettingun në shkallën e parë, janë ankimuar në apel. Pak javë më parë KPK rikonfirmoi në detyrë prokuroren Manjola Kajana, por Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin, duke kërkuar shkarkimin e saj nga detyra.
SPAK mund të krijohet dhe të filloj funksionimin vetëm pasi të gjithë kandidatët të konfirmohen me vendim të formës së prerë në detyrë. Pas krijimit, puna e SPAK së bashku me Byronë Kombëtare të Hetimit do të filloj për hetimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar në nivele të larta drejtuese. Më të rrezikuarit janë politikanët, për të cilët pritet të bëhet hetim i imtësishëm, ndërsa pritet për t’u parë nëse SPAK dhe BKH do të jenë të aftë për të çuar para drejtësisë emra të njohur të politikës.
Shtatori vjen me gjithashtu me një shtëpi të re për Këshillin e Lartë të Prokurorië dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Poli i Drejtëisë, godina e inaguruar tashmë në afërsi t ëish-fushës së aviacionit në Tiranë do të jetë streha e re e këtyre dy institucioneve, bashkë me shkollën e magjistraturës.
Po ashtu shtatori vjen i vrullshëm për krijimin e institucioneve të reja, SPAK, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe një Kryeprokuror i ri i Përgjithshëm. Po ashtu, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të presin emra të rinj prokurorësh e gjyqtarësh, të cilët do të përballen me vettingun./Sokol Dema-Fax News