Rruga që të çon drejt uzinës së përpunimit të thellë të naftës në Ballsh mban emrin e diktatorit Mehmet Shehu nga vitin 2002. Emri i një vrasësi të regjimit komunist ka bërë të ndiehen të diskriminuar djemtë e Jonuz Kacelit, i cili u torturua dhe u vra nga Mehmet Shehu gjatë regjimit komunist. Ata kërkojnë heqjen e emrit të kësaj rruge, por këshilltarët socialistë në bashkinë e Mallakastrës e mbajnë me votë emrin e diktatorit në këtë rrugë.
Dy djemtë e Jonuz Kacelit, Osman dhe Mirvjen Kaceli vazhdojnë të kërkojnë të drejten morale edhe sot, pasi persekutimin e babait pafaj e vuajtën dhe vazhdojnë edhe sot. Osmani, njëri prej djemve tregon edhe një herë momentet kur ia morën babain nga vatra e shtëpisë.
‘‘Babi im ka qenë antifashist dhe patriot, me ardhjen e komunistëve në fuqi, ne u konsideruam si pasanikë dhe u persekutuam. Kemi qenë pronarë të pallatit Kaceli në Tiranë, ngjitur me Kullën e Sahatit dhe binte në sy.
Mehmet Shehu është urdhëruesi i vrasjes së babait tonë, ne kërkojmë nga Këshilli Bashkiak që të anulojë vendimin që ka dhënë. Ndjehemi të persekutuar dhe tani në demokraci”, shprehet Osman Kaceli.
Në këto kushte në vitin 2002 këshilli i bashkisë Mallakastër në unanimitet vendosi që rruga drejt uzines së përpunimit të naftës në Ballsh të mbante emrin e Mehmet Shehut. Përpara këtij fakti , jane cënuar e djemtë e Kacelit, ku me anë të zyrës së avokatit kanë kërkuar të drejtën për heqjen e emrit edhe nga komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi në vitin 2018.
Mirëpo edhe pse në ditët e sotme të demokracisë, regjimi komuninist ka lënë gjurmë, mllef e urrejtjeje tek ata që i rritën fëmijët pa prindër, siç u rrit nën persekutim edhe familja Kaceli.
Kreu i bashkisë Mallakaster Agron Kapllanaj thotë se askush nuk e përkrah më atë sistem, por përpara ligjit jemi të barabartë dhe këshilli ka vendosur me votë që të mos shfuqizohet vendimi për emrin e rrugës.
”Këshilli Bashkiak në Shtator të 2018-tës ka vendosur që të mos e shfuqizojë emrin e rrugës. Ky është një emër që nuk na bën krenar, po jemi të detyruar të respektojmë ligjin”, tha Kapllanaj në Fax News.