Shqiptarët njihen për natyrën e tyre festive, ku në përgjithësi nuk bëjnë një diferencim midis tyre, por i mirëpresin me dashamirësinë më të madhe të gjitha, pavarësisht besimeve të tyre.
Ashtu sikurse çdo festë e cila ka domethënien dhe ushqimin e saj specifik, e tillë është dhe Dita e Verës.
Pavarësisht se është e njohur si festë pagane dhe festohet masivisht në të gjithë Shqipërinë, Dita e Verës nuk mund të konceptohet pa ëmbëlsirën tradicionale të Ballokumes, e cila na sjellë në vëmendje qytetin e Elbasanit.
Mirëpo për të kuptuar ndryshimin midis ballokumeve që bëhen gjetkë, nëpër Shqipëri dhe atyre që gatuhen në Elbasan. Ne ndoqëm këtë proces të gjatë dhe të lodhshëm në familjen Dinaku në Elbasan, ku znj. Nexhi na shpjegoi hapat dhe disa sekrete të i bëjnë kaq të veçanta ballokumet e saj.
Pas mikpritjes dhe bisedës së këndshme me të, për gatimin në mënyrë të shijshme të kësaj ëmbëlsire ajo shprehet se: ‘’Një ndër sekretet e gatimit të ballokumes është ena e bakrit, 50 vjeçare. E kam trashëguar nga baba tem. Kjo tenxhere është e familjes teme. Pasi mbarojmë punë e ruajmë në një ‘’sergjen’’ (raft) në depo… kështu e ruajnë gjithë elbasanllinjtë”