Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot takimin e dytë të nivelit të lartë “Shqipëria 2030 në BE – Rruga e Reformave”.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali në fjalën e saj në këtë takim u shpreh se, “ngritja e nga Kuvendi i Komisionit të Posaçëm nuk ishte një “rrufe në qiell të kthjellët”, por një imperativ që buroi nga përgjigjja jonë ndaj nevojës së brendshme të shoqërisë shqiptare për t’iu afruar gjithnjë e më shumë idealit të saj, shndërrimit në një shoqëri tërësisht evropiane dhe po ashtu qëllimi strategjik të Kuvendit për t’u shndërruar brenda kësaj dekade, ashtu siç e kemi përcaktuar në planin e ri strategjik, në një parlament me të gjitha parametrat, standardet dhe cilësinë e një parlamenti të një vendi të BE-së”.
Spiropali tha se, “nuk mund të ndërtojmë një Shqipëri evropiane pa një Kuvend evropian dhe një Kuvend mund të funksionojë me standarde evropiane vetëm në një shoqëri që i ka vetë këto standarde”.
“Objektivi ynë për anëtarësimin në familjen evropiane në fund të kësaj dekade dhe mbylljen e negociatave teknike brenda vitit 2027 është bërë tashëm publik, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në institucionet evropiane e në vendet anëtare e ka fituar ndër vite e me shumë mund mbështetjen e tyre të plotë”, tha Spiropali.