Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali priti sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Alain Berset, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.
Në takim ishin të pranishëm anëtarët e delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, deputetet Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj, Albana Vokshi, si edhe Ambasadori i Shqipërisë në KiE, Dastid Koreshi.
Kryetarja Spiropali dhe Sekretari i Përgjithshëm Berset, diskutuan mbi bashkëpunimin mes Kuvendit të Shqipërisë me këtë organizatë të madhe europiane gjatë 30 vjetëve të anëtarësimit dhe kontributit të vendit tonë në Këshillin e Europës si edhe kontributin aktiv të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare.
Spiropali informoi se temë e takimit ishte edhe mbështetja e KiE-së dhe arritjet e Shqipërisë në sundimin e ligjit, respektimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut, fuqizimin e institucioneve dhe vlerave demokratike dhe avancimin e reformave drejt anëtarësimit në BE.
Po ashtu, u diskutua edhe mbi bashkëpunimin në organizatat shumëpalëshe ndërkombëtare dhe mbështetjen e vendosur për Ukrainën.
Kryetarja Spiropali i transmetoi Sekretarit të Përgjithshëm, Berset kërkesën e Shqipërisë që Kosova, kjo demokraci e re dhe vibrante, meriton të pranohet sa më parë në KiE, si një faktor për bashkëpunimin, sigurinë dhe paqen në rajon.