Kryetarja e Kuvendit dhe drejtuese politike e Partisë Socialiste e qarkut Tiranë, znj. Elisa Spiropali, e shoqëruar nga deputetë dhe kryetarë bashkish, zhvilloi sot një takim me komitetin e emigrantëve shqiptarë në Selanik.
Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, u shpreh se “Ju sjell një përqafim të fortë zemre nga atdheu juaj. Një përqafim malli nga fshati apo qyteti nga keni ikur për të ardhur këtu, në kërkim të një jete më të mirë, në një tokë me det që është bërë prej vitesh tashmë atdheu juaj i dytë.
Një atdheu ku ju flisni njëlloj greqishten e Odisea Elitis dhe Janis Ricos me shqipen e Naim Frashërit dhe Ismail Kadaresë. Ku qeshni e qani, këndoni apo debatoni në shqip e greqisht, si qytetarë të Evropës me dy pasaporta.
Atdheu është ajo tokë që ka dhe djepin e të nesërmes së nipit e mbesës, edhe varrin e gjyshërve.
Eshtë fillimi pafund, është jeta që e mban bashkë gjaku i përbashkët.
Nga atdheu juaj ju sjell një lajm të mirë që ju tashmë e dini.
Atë që e keni merituar se jua jepte e drejta juaj kushtetuese si qytetarë shqiptarë dhe e drejta juaj morale bazuar mbi ato sakrifica të pafundme që ju keni bërë për veten e familjen tuaj këtu dhe për ata që keni lënë pas në atdhe, për vite e vite me rradhë, si garancia e jashtëzakonshme e shpesh edhe e vetme e mbijetesës së tyre në Shqipëri.
Tashmë secili nga ju nuk është vetëm një emër në listën e votuesve, por pa mundësinë për të votuar.
Tashmë secili nga ju do të mund të votojë nga shtëpia e tij pa ju dashur të lerë pas të përditshmen e tij për të dielën e zgjedhjeve në Shqipëri.
Në këto zgjedhje të radhës në Shqipëri ju jeni të lutur të ushtroni sovranitetin tuaj dhe të jepini vendimin tuaj se kush duhet të qeverisë vendin për katër vitet e ardhshëm. Kësaj here pa qenë të detyruar të niseni me makinat tuaja apo me autobuzë, por të votoni direkt nga shtëpitë tuaja ashtu siç e mendoni, ashtu siç e ndjeni.
Ju ishte premtuar shumë e shumë herë një gjë e tillë, por vetëm vullneti i fortë politik i partisë socialiste dhe kryetarit të saj, kryeministrit Edi Rama e bëri të mundur që këtë pranverë, ju të deklaroni vullnetin tuaj.
Lirisht.
Lirisht por diturisht.
Ne, socialistët ju kthyem një borxh të vonuar që politika ka pasur ndaj jush dhe kjo është vetëm një nga krenaritë e shumta që duam të ndajmë me njëri-tjetrin, motra e vëllezër, në këtë takim të përbashkët mes nesh.
Regjistrohuni në listën e votimit. Dëshmoni vullnetin tuaj sesi duhet të qeveriset Shqipëria në katër vitet e ardhshëm. Votoni për Shqipërinë që ka ndryshuar e po ndryshon krenarisht!
Votoni për projektin e Shqipërisë Evropiane të dekadës së ardhshme, qytetarë të parë evropianë të së cilës jeni edhe ju!
Një dekadë e pak që ne socialistët po qeverisim Shqipërinë është dëshmia më e qartë, më e plotë se çfarë do të bëjmë më tej në vijimin e projektit tonë për shndërrimin e saj në një vend modern, demokratik, të fortë e të pandarë nga fatet e qytetarëve të tij.
Le të kthejmë një çast kokën pas e të shohim se çfarë ka ndodhur me vendin në këto vite, çfarë ka ndodhur me familjet tuaja që keni lënë në atdhe për të kuptuar se në 11 maj ka vetëm një zgjidhje për votën në zgjedhje: votë për partinë socialiste dhe Edi Ramën, kryeministrin e të gjithëve.
Se kur ne punojmë, kundërshtarët tanë zihen me gurë me njëri-tjetrin,
Se kur ne ndërtojmë vizione, ata hedhin molotovë,
Se kur ne flasim për projekte, ata projektojnë vetëm zi e vrer.
Shqipëria e shqiptarët janë ndryshuar, disa prej tyre kanë mbetur po të njëjtët njerëz që zinë, shpifjen, mallkimin e kërcënimin e kanë bërë bukën e përditshme të politikës, ku tentojnë të strehojnë ankthet e makthet e tyre.
Motra e vëllezër,
Të thuash sot se jam shqiptar në Platea Aristoteli askush nuk të sheh vëngër dhe askush nuk mendon se je fqinji i varfër sic fatkeqësisht ndodhte për shumë kohë, ku shqiptar jo rralle njësohej edhe padrejtësisht me fjalën keqbërës, duke izoluar burrat e gratē, vajzat a djemtë të ngarkuar me peshën e pamerituar të turpit.
Të thuash se je shqiptar në Selanik, në këtë univers multikulturor të së shkuarës e të sotmes, në këtë urë mes perëndimit e lindjes, është identitet e vlerë e shtuar. Selaniku ka qenë një stacion jete jo vetëm sot në kohët moderne për shqiptarët, por ka qenë i tillë, një vatër për mendimtarët e Rilindjes sonë Kombëtare.
Të thuash se je shqiptar në Athinë apo kudo gjetkë në Greqi apo dhe kudo ku diaspora shqiptare ka hedhur rrënjë, të shohin si të barabartë apo dhe shpesh të kthejnë përgjigje në shqip. Ju ja keni dalë të jeni një komunitet i respektuar këtu dhe pjesë e këtij respekti është dhe krenaria që ju vjen nga atdheu juaj që tashmë ju jep krenari.
Ju jeni bërë tashmë një pjesë e pandashme e këtij universi ku kanë jetuar dhe jetojnë në harmoni e paqe grekë, shqiptarë, turq e hebrenj, por dhe emigrantë nga dhjetra kombësi që kanë gjetur strehë e punë, bukë e dashuri gjatë këtyre dekadave të fundit.
Emigrantët shqiptarë janë sot vlerë e shtuar për shoqërinë, ekonominë dhe kulturën e Greqisë.
Ata janë dëshmia më e qartë, më domethënëse, më e plotë e aftësisë së mbijetesës sonë si komb, aftësia për t’u përshtatur, ndryshuar e përmirësuar sapo rrethanat e lejonin një gjë të tillë, me një vitalitet të jashtëzakonshëm dhe progres vetjak dhe të të gjithë kombit.
Edhe pse siç ndodh shpesh mes fqinjëve, herë pas here në marrëdhëniet mes dy vendeve fryn erë mosbesimi, për çështje që nuk kanë lidhje as me Shqipërinë, as me ju, ne, Shqipëria dhe Greqia janë dy vende fqinj, miq tradicionalë dhe partnerë strategjikë.
Që jemi fqinjë është zgjedhja e Zotit, që jemi popuj tradicionalisht miq dhe shtete partnerë strategjikë është zgjedhja e njerëzve dhe institucioneve të të dy vendeve tona.
Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoritarët grekë në Shqipëri janë ura miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve tona. Të dy palët janë dhe ndjehen zotër në shtëpitë e tyre.
Megjithë vështirësitë dhe ulje-ngritjet në qëndrimet ndaj emigrantëve shqiptarë, që tashmë i kanë mbetur kapitujve të mbyllur të historisë, ne i jemi mirënjohës popullit dhe institucioneve të Greqisë për mbështetjen për ju dhe mirëkuptimin me qeverinë dhe institucionet tona për çështjet tuaja.
Greqia është një partner i rëndësishëm ekonomik e tregtar i Shqipërisë, madje gjatë vitit të kaluar ishte partneri i tretë tregtar i vendit tonë.
Investimet greke në Shqipëri po lulëzojnë, madje duke përfituar nga politikat tona favorizuese për biznesin ndjehen edhe më mirë sesa në Greqi.
Marrëdhëniet njerëzore mes grekëve dhe shqiptarëve janë të shkëlqyera, madje shumë më të mira se marrëdhëniet mes institucioneve dhe ky është një mësim që e marrim nga popujt tanë edhe ne politikanët.
Në vend të primitivizmit nacionalist të së kaluarës që shqiptarët e kanë ndjerë në lëkurën dhe në shtëpitë e tyre, po ndërtojmë urat e miqësisë mes qytetarëve europianë në të dy anët e atij që ende quhet kufi.
Kufijtë që dikur na ndanin, sot na bashkojnë dhe gjithnjë e më shumë do të humbasin kuptimin dhe do të shndërrohen në një vijë konvencionale e formale, që dallon dy vende politikisht e administrativisht, por jo shpirtërisht e njerëzisht.
Ekonomitë tona janë të ndërlidhura dhe po konkurrojmë edhe në atë që Greqia e ka ndër krenaritë e saj, turizmin. Shqiptarët vijnë si turistë në Greqi, por edhe grekët vijnë gjithnjë e më shumë turistë në Shqipëri.
Dëshiroj gjithashtu t’ju informoj se ne nuk do të ndalemi deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pensioneve.
Negociatat kanë nisur, kemi rënë dakord në nivel teknik dhe ne kemi besim se do të gjejmë vullnetin politik të qeverisë së Greqisë për zgjidhjen e kësaj çështjeje jetike.
Me Italinë, në këtë çështje, kemi ecur dhe pritet vetëm ratifikimi nga Senati për të hyrë në fuqi.
Siç mund edhe ta keni dëgjuar, me Greqinë po punojmë edhe për çështjen e lejeve të qëndrimit dhe procedurën e fitimit të shtetësisë me natyralizim, si ndodh në bashkëpunimin mes mjaft kombeve të qytetëruara në botën e sotme globale.
Ju keni një meritë të veçantë, që jo thjesht mbijetuat në Greqi, por edhe u integruat, ndërtuat jetën, shkolloni fëmijët, ndërtoni bizneset tuaja, bashkëpunoni me njeri-tjetrin dhe me institucionet dhe ajo që është më kryesorja, nuk e harroni Shqipërinë.
Ne dimë dhe e njohim kontributin tuaj politik për Shqipërinë edhe prej nga këtu ku jetoni.
Është edhe në saje të emigrantëve shqiptarë dhe tuajin që prestigji ndërkombëtar i Shqipërisë edhe këtu në Greqi është rritur.
Mes jush ka dhjetra mijëra histori suksesi, madje edhe në politikën vendase.
Në Greqi, partia socialiste ka organizimin më të fortë partiak dhe kjo është merita juaj, e anëtarëve të PS në këtë vend.
Partia Socialiste dhe Shqipëria u janë mirënjohës për mbështetjen nga këtu të fushatave tona zgjedhore dhe ardhjen në Shqipëri për të votuar. T’i japim Edi Ramës mundësinë për ta kthyer Shqipërinë nē sofrën e vet europiane, dhe ta ngremë bashkē flamurin tonē kuqezi në zemër të Europës.
Tashmë, me ndryshimet në ligjin zgjedhor, është krijuar mundësia të votoni prej nga vendet ku jetoni.
Bashkë me deputetetë dhe kryetarët e bashkish jemi këtu edhe për të diskutuar me ju, për të dëgjuar opinionet tuaja, vërejtjet e propozimet që keni për çfarë duhet bërë ndryshe e çfarë duhet të bëjmë më mirë në katër vitet e ardhshëm.
Të diskutojmë sidomos për çështjet dhe nevojat jo vetëm tuajat, por edhe të komuniteteve e familjeve në Shqipëri, në zonat prej nga vini, nga Korça, Pogradeci apo Kolonja, Fieri apo Vlora, Gjirokastra apo Dibra, apo dhe Tirana, Kamza, Vora, Kavaja e Rrogozhina.
Të jeni të sigurt se zëri juaj dëgjohet dhe vota juaj vendos për Shqipërinē tonë të përbashkët.
Zoti i bekoftë familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”