Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali priti sot në Kryesinë e Kuvendit Presidenten e Rotary International, Stephanie Urchick. Gjatë takimit, Spiropali vlerësoi veprimtarinë e organizatës në Shqipëri, ndihmën për komunitetet lokale dhe njerëzit në nevojë.
Kryetarja e Kuvendit çmoi veçanërisht mbështetjen për shërbimet shëndetësore dhe shërbime jetike bazë dhe ofrimin e bursave të studimit për nxënësit dhe studentët.
Spiropali shprehu gatishmërinë e Kuvendit për të mbështetur veprimtarinë e Rotary në Shqipëri, me moton “të bashkojmë njerëzit, nëpërmjet rrjeteve mbështetëse”.
Rotary International është një organizatë ndërkombëtare qëllimi i të cilës është bashkëpunimi i njerëzve nga fusha e biznesit dhe profesionistëve me qëllim ofrimin e shërbimeve humanitare, nxitjen e standardeve te larta etike në të gjitha profesionet, si dhe avancimin e paqes në botë.