Spitali Rajonal i Fierit pret dhe mjekon pacientë që nga Saranda, Përmeti, Tepelena, Mallakastra ddhe Fieri. Nuk janë të pakta edhe llojet e shërbimeve që jepen aty, por sigurisht gjendja e spitalit është e mjeruseshme. Sipas “Shëndeti +” vitet fundit është bërë vetëm një investim në Urgjencën e këtij spitali me shumën prej rreth 100 milionë lekësh por është bërë vetëm për katin e parë të godinës.
Po këshu në katet e tjera ashtu siç shihet edhe në këto foto gjëndja është e mjerueshme, mbizotëron lagështira dhe tualetet janë të mbushura me mbetje spitalore.
Por së fundi ka dalë një shqetësim nga ana e pacientëve të cilët nuk po bëjnë dot grafitë në këtë qendër spitalore. “Është e vërtetë që grafia është e prishur. Janë prishur nja dy pjesë që nuk riparohen, por duhen zëvendësuar, ndaj kjo kërkon kohë”, u shpreh edhe drejtoresha Brunilda Çami për “Shëndeti +”.
Sipas drejtoreshës, grafia “pritet të vihet në funksion shumë shpejt dhe puna të vazhdojë normalisht”. Ndërkohë pavarësisht shpresave për rregullimin “shumë shpejt” nëndrejtori teknik i këtij spitali Andrea Dollaku, konfirmon se grafia vazhdon të jetë e prishur: “Grafinë e ka marrë firma e mirëmbajtjes, por s’po vjen një paketë e vogël që i duhet për ta rregulluar”.
Po kështu edhe pacientët e denoncojnë këtë rast. “Grafinë e bëra të klinika përballë. Kjo klinikë i bën më mirë se ajo tjetra ngjitur. Në spital s’bëhet fare grafi, shprehet qytetari.
MUNGESA E MEDIKAMENTEVE:
Ndërkohë, edhe mungesa e medikamenteve bazike nuk mbetet pas. Denoncimi për to nuk vjen nga qytetarët e thjeshtë, por nga vetë mjekët. Përmes rrjeteve sociale ata kanë shprehur shqetësimin për mbarëvajtjen e punës me pacientët pasi, sipas tyre, në spital nuk ka as paracetamol. “Mëngjes. E diel. Mora rojën! Kush më gjen dopaminë, lenitral, adrenalinë, lanatosid C, diazepam, manitol,calci gluconat, natri bicarbonat, prednisolon, voltaren, adalat, atenolol, paracetamol. Më duhen të ndihmoj njerëzit. Jo për reklamë. Se edhe sikur 48 orë pa fjetur të rri, unë ampulë nuk bëhem dot. Mos u dukni këtej sot”, denoncoi disa javë më parë mjeku me iniciale J.S. Të tjerë kolegë ndanë të njëjtin shqetësim me mjekun J.S. duke shprehur shqetësimin e radhës së rojës. Mjeku dëshmoi përmes një fotoje një grumbull ilaçesh që, sipas tij, i kishte blerë privatisht në farmaci.
Lidhur me mungesën e medikamenteve, nëndrejtori teknik Andrea Dollaku u shpreh se kjo situatë nuk është periodike. Sipas tij, mungesat ndodhin në kohën kur nënshkruhen kontratat. “Fundviti për spitalet është muaji mars-prill, sepse atëherë tenderohet. Është fundi i marsit apo fillimi i prillit që vijnë medikamentet. Në atë kohë kur pati shumë ankesa për mungesa në medikamente, nuk po liroheshin paratë, buxheti. E kishim dërguar shkresën, por nuk po na vinte shkresa që Fierit i lirohen paratë. Ditën që u liruan paratë, erdhën medikamentet. Ishte një situatë që zgjati 5 ditë apo një javë, dhe medikamentet u blenë. Medikamentet bazike i kemi, nuk na mungojnë”, thotë Dollaku. Nga ana tjetër, dokumentet zyrtare tregojnë se për këtë spital nuk ka pasur as rritje në buxhet dhe as në investime. Nëndrejtori teknik Andrea Dollaku e artikulon këtë problem kur thotë: “A e dini se ku qëndron defekti i Fierit? Sepse ne mbulojmë Ballshin, Patosin, Roskovecin, Cakrajn, Levanin, Libofshën etj. Zona është shumë e madhe. Në Fier bëjmë lloj-lloj operacionesh që janë në koston tonë. Pacientët vijnë nga Përmeti, nga Gjirokastra, nga Tepelena. Ne jemi detyruar t’i presim”.
FONDI PËR MEDIKAMENTET NGA MINISTRIA E SHËNDETËSISË
Sipas dokumenteve zyrtare të vëna në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë rezulton se në 2015-n spitali i Fierit ka kërkuar investimin prej 65,412,000 lekësh, ndërkohë që i është dhënë vetëm 40% e shumës së kërkuar. Ndërkohë që për vitin 2016, sipas Ministrisë, pavarësisht se Fieri e ka ulur kërkesën duke i kërkuar ministrisë vetëm shumën e akorduar në vitin 2015, shuma e dhënë për investim është 0. Të dhëna të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë për investimet në spitalet rajonale Nga ana tjetër, edhe të dhënat për buxhetin tregojnë se buxheti i akorduar ka qenë gjithmonë më i ulët se ai i kërkuar. Kështu për vitin 2015 për zërin 602 (ku përfshihen edhe materialet mjekësore, si dhe ilaçet), spitali i Fierit ka kërkuar shumën prej 328,000,000 lekësh, nga e cila i është dhënë vetëm 56% e shumës. Ndërsa për vitin 2016, Fieri, ashtu si dhe për investimet, ka bërë të njëjtën kërkesë që i kanë dhënë një vit më parë. Megjithatë, edhe pse shumë herë më pak, buxheti i akorduar është ulur sërish. Të dhëna të siguruara nga Spitali Rajonal i Fierit për kërkesat dhe buxhetin e akorduar Vetë drejtuesit e këtij institucioni e pranojnë shqetësimin e numrit të lartë të pacientëve që duhet të presin, si dhe mungesat në buxhet. “Spitali i Fierit ka nevojë për shumë para. Ne bëjmë planifikim, nuk na vijnë të gjitha ato që kërkojmë. Për ato që nuk na siguron Ministria, mundohemi t’i marrim me të ardhura dytësore. Por dhe të ardhurat dytësore kanë rënë. Se ato arnonin shumë gjëra. Paguhen fatura shumë të vogla. Spitali ka nevojë për shumë…”, shprehet nëndrejtori Dollaku. Ulen investimet dhe buxheti, ulet numri i pacientëve Ndërkohë, këto mungesa duket se kanë ndikuar edhe në numrin e pacientëve që marrin shërbimin në spitalin e Fierit. Pavarësisht mbulimit dhe të qenit spital rajonal, numri i pacientëve në spitalin e Fierit nuk ka shënuar rritje. Përkundrazi! Në të dhënat e siguruara nga vetë ky spital rezulton se viti 2013 dhe 2014 kanë të njëjtin numër pacientësh, ndërkohë që viti 2015 ka pasur rënie në pacientë krahasuar me vitin e mëparshëm, ndërsa viti 2016 gjithashtu ka edhe një numër më të ulët me jo pak, por 15%. Nëndrejtori teknik i spitalit thotë se shpesh pacientët zgjedhin t’i drejtohen Tiranës për të marrë shërbimin spitalor.
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1914″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]