Spitali al-Awda në Jabalia, i vetmi që ofronte shërbime shëndetësore në provincën veriore të Gazës, është jashtë funksionit pas një urdhri të ushtrisë izraelite për evakuim të menjëhershëm, njoftoi drejtori i spitalit, Dr. Mohammed Salha.
Në një deklaratë për BBC-në, Dr. Salha shprehu keqardhje për evakuimin e detyruar që ndodhi pas dy javësh rrethimi dhe bombardimesh të vazhdueshme në zonë. Ai theksoi se tani nuk ekziston asnjë strukturë shëndetësore funksionale në veri të Gazës.
“Ne u kërcënuam nga forcat izraelite se nëse nuk evakuoheshim, do të hynin në spital dhe do të vrisnin çdo person brenda ose do ta bombardonin ndërtesën,” tha Dr. Salha, duke shtuar se përparësia e tyre ishte jeta e pacientëve dhe stafit.
Drejtori i spitalit tregoi se spitali u përball me bombardime dhe të shtëna nga tanket që nga mesdita e ditës së enjte, ndërsa rreth orës 13:00 mori një telefonatë nga ushtria për të nisur evakuimin. Fillimisht, ai refuzoi duke kërkuar të mbante të paktën 10 anëtarë të stafit për kujdesin e pacientëve, por kërkesa iu refuzua.
Pas shtatë orësh negociatash, evakuimi u realizua në orën 20:30, me pacientët të transportuar më shumë se 300 metra në ambulanca për shkak të rrugëve të shkatërruara.