Ditën e sotme personeli i Urgjencës në Spitalin Rajonal të Lezhës protestuan shprehën pakënaqësinë ndaj shpërblimit simbolik prej 5 mijë lekësh për ta, pagesë e cila sipas tyre nuk është ajo që ju ishte premtuar nga kryeministri Edi Rama.
Protesta e tyre u bë shkak për një debat të ndërsjelltë në sferën politike por jo vetëm gjatë ditës, ndërsa mësohet se mjekët e kanë refuzuar këtë pagese dhe kanë kërkuar që të shkojë për familjet në nevojë.
Ata premtojnë përmes një reagimi zyrtar se angazhimi në luftën kundër Covid-19 do të jetë maksimal pavarësisht kësaj .
Reagimi i Spitalit Rajonal Lezhë:
Personeli i Urgjencës së spitalit rajonal Lezhë, deklaron se ka qenë dhe do të jetë në gadishmëri të plotë në kryerjen e detyrës, në plotësim të misionit human që ka. Ne nuk kemi kërkuar e as kërkojmë asnjë shpërblim që u takon kolegëve tanë që janë në linjën e parë të luftës, të angazhuar në përkujdesjen ndaj pacientëve në strukturat mjekësore të dedikuara COVID. Ne vazhdojmë të përkujdesemi me angazhim të plotë ndaj të gjithë pacientëve në nevojë dhe nuk bëhemi pjesë e asnjë loje politike, ndaj çdo përpjekje për të përdorur emrin tonë nuk ka asnjë lidhje me punën, angazhimin dhe përgjegjësitë tona para pacientëve, të cilat do ti përmbushim pa asnjë hezitim.