Në këtë gjendje epidemie që ka mbërthyer vendin, qytetarët kanë nevojë më shumë se kurrë për ndihmën e mjekëve.
Por, emisioni investigative “BOOM” raporton për një gjendje të mjeruar të spitalit të Pukës, ku marrin shërbimin mjekësor rreth 25 mijë banorë.
Sipas investigimit, rikonstruksionet e fundit datojnë në vitin 1994 dhe prej atij viti pothuajse nuk është vënë dorë fare, duke i lënë në gjendje të mjeruar ndërtesat totalisht të amortizuara.
Por gjatë investigimit, gazetarët pengohen nga roja i spitalit, i cili nuk i lejon të hyjnë brenda me kasmera. Ndërkaq, edhe drejtori i spitalit zhduket pa nam e nishan sapo merr vesh që gazetarët janë në qarkullim.
Biseda e gazetares me rojen:
Roja i spitalit: Drejtori nuk është këtu, brenda derës jo, më kanë dhënë urdhër.
Operatori i BOOM: A më the mua ik tek Drejtori?
Roja i spitalit: Po mirë, ik tek Drejtori.
Operatori i BOOM: Unë vete deri lart tek Drejtori, Drejtori nuk është.
Roja i spitalit: Pa lejen e Drejtorin unë nuk mundem, ti do me më heq prej pune? Mua më prishni punë o vëlla, vetëm me lënë vendin e punës. Nuk mundem për sy të ballit me ju lënë.
Sakaq, një urdhër i posaçëm i Drejtorit të spitalit i afishuar në derë.
“Urdhër i Brendshëm për marrjen e masave, forcimin, ruajtjen dhe sigurinë kundër akteve terroriste për kujdesin shëndetësor: Të mbyllet me çelës dera e hekurit në hyrje të spitalit. Personeli shëndetësor dhe jo shëndetësor të mos lejojë kamerat të filmojnë në ambientet e spitalit dhe të mos prononcohet për asnjë lloj problemi pa autorizimin e titullarit të institucionit.Ndaj personave përgjegjës do të merren masa administrative”.
Kështu, gazetarja kontaktoi në telefon me drejtorin e spitalit.
Biseda:
Gazetarja: Përshëndetje Drejtor. Jam Alketa, gazetare nga Ora Neës. Mund të takohemi një moment të lutem.
Drejtori i spitalit, Enver Sulejmani: Jo, unë nuk jam i disponueshëm për momentin.
Gazetarja: Kur vini?
Sulejmani: Nuk e di, jam në një takim pune, nuk jam hiç në Pukë.
Gazetarja: Nuk je në Pukë? Por unë të kam parë para gjysëm ore tek qendra.
Sulejmani: Po më ke parë hajde dhe më gjej ku jam atëherë.
Gazetarja: Nuk lozim kukafshehtësi, të të gjej unë ty ku je.Mund të vish pak tek zyra të flasim? Keni mungesa për mjekët specialistë?
Sulejmani: Po kemi, një kardiolog dhe një okulist.
Gazetarja: Mund të futemi tek spitali “Erzen Selimi” të marrim ca pamje të ambienteve jashtë jo brenda?
Sulejmani: Na kanë urdhër mos me leju me hy brenda pa urdhër të titullarit.
Jashtë kameras personeli rradhit një sërë problematikash duke filluar nga mungesa e mjekëve specialistë, deri tek lagështira që e ka pushtuar të gjithë godinën.
Në fund gazetarja e ‘BOOM’ hodhi letrën me vërejtje në kutinë e ankesave të spitalit. (D.D/Shuplaka)