Mbi 250 mijë kërkesa për bileta janë bërë nga tifozët shqiptarë për ndeshjen Shqipëri-Serbi më 7 qershor në Tiranë. Burime të Report TV në federatën shqiptare të futbollit bëjnë me dije se pjesa dërrmuese, rreth 200 mijë kërkesa, janë bërë në 24 orët e para të hapjes së portalit të biletave, ndërsa pjesa tjetër më pas. Tifozët të cilët duan bileta mund të aplikojnë deri më 30 maj, ndërsa pas kësaj date një kompjuter do të bëjë përzgjedhjen e fituesve. Mësohet gjithashtu se të shumtë janë aplikimet që kanë kërkuar numrin maksimal të biletave, 4. Për shkak të dënimit nga FIFA, 20% e tribunave pas porte të stadiumit Arena Kombëtare do jenë të mbyllura për këtë ndeshje, ndërsa në shitje janë 17-18 mijë bileta.
Të martën Serbia ndërkohë shpalli listën paraprake me 28 futbollistë të grumbulluar ku bien në sy mungesat e vëllezërve Saviç, njëri portier dhe tjetri mesfushor. Megjithatë yje si Pavlovic dhe Joviç te Milani, por edhe Mitrovic e Vlahovic te Juventusi, janë pjesë e listës së trajnerit Dragan Stojkovic. Këtij të fundit, në një tubim të mbajtur në Nish, presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic, i ka kërkuar publikisht të fitojë ndeshjen e kualifikueseve të botërorit në Tiranë.