Autoritetet turke kanë arrestuar 343 persona gjatë protestave që shpërthyen natën e kaluar në disa qytete të Turqisë, pas arrestimit të kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu. Ministria e Brendshme njoftoi se protestat u zhvilluan në dhjetëra qytete, përfshirë Stambollin dhe Ankaranë, dhe se arrestimet u realizuan për të parandaluar “prishjen e rendit publik”. Autoritetet theksuan se nuk do të toleronin “kaos dhe provokim” gjatë këtyre demonstratave.
Protestat, që filluan më 22 mars, janë zhvilluar kryesisht pa dhunë, teksa kanë qenë me dhjetëra mijëra qytetarë turq që dolën në rrugë për të kundërshtuar arrestimin e Imamoglu, i cili është kundërshtari kryesor politik i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Imamoglu u arrestua me akuza për korrupsion dhe ndihmë ndaj një grupi terrorist.
Partia e Imamoglu, Partia Popullore Republikane (CHP), e ka dënuar arrestimin, duke e cilësuar atë si një veprim politik dhe ka ftuar mbështetësit të protestojnë në mënyrë paqësore. Imamoglu, 54 vjeç, u arrestua në një moment kur CHP-ja po përgatitej ta shpallte atë si kandidat për zgjedhjet presidenciale të ardhshme. Zgjedhjet presidenciale në Turqi janë planifikuar për vitin 2028, megjithatë ka mundësi që Erdogan, 71 vjeç, të shpallë zgjedhje të parakohshme për të shmangur kufizimin e mandatit të dytë, nëse vendos të garojë përsëri.