Turqia ditët dhe muajt e fundit ka qenë epiqendër e shumë sulmeve terroriste të cilat u kanë marrë jetën qindra viktimave. Nderkohë në kuadër të saj në Stamboll ka nisur një operacion blic mbrëmjen e djeshme.
Aksioni ka filluar në rajonin Okmeydanı të Stambollit, ku nga të dhënat paraprake të mediave turke janë angazhuar forcat elitë të policisë turke. Sipas informacioneve të marra në rrugë zyrtare nga CNN Turk, Anadolu Agency por edhe Televizioni shtetëror i Turqisë mësohet se ekipet e Drejtorisë së Antiterrorizmit, forcat e operacioneve speciale dhe të sigurisë publike në orët e mbrëmjes kanë kryer operacion në ndërtesën e quajtur Federacioni Rinor e cila operon nën drejtimin e organizatës terroriste DHKP/C.
Referuar raportimeve të Anadolu Agency, që ka nxjerrë e para një bilanc të këtij operacioni, mësohet se janë ndaluar të paktën 5 persona. Sipas “AA”-së forcat e sigurisë kanë hyrë në ndërtesë duke thyer dyert e çelikta dhe kanë ndaluar 5 persona. Ndërsa njoftohet se ka dyshime se njëri prej personave të dyshuar mund të jetë kamikaz. Nga kontrolli i ushtruar u sekuestruan një sërë materialesh. Personat e dyshuar të cilët janë ndaluar u dërguan në Spitalin Haseki për kontrollin mjekësor. Ndërkohë bëhet e ditur se operacioni pritet të vijojë edhe gjatë paradites së 20 Janarit. (E.K/SHUPLAKA)