Bashkimi Evropian ka sqaruar gjatë ditës së sotme se reagimet gjatë fundjavës ndaj disa zhvillimeve në Kosovë kanë pasur për qëllim që t’i shmangin tensionet pas disa veprimeve të autoriteteve të Kosovës që BE-ja i ka quajtur “të njëanshme dhe shqetësuese”.
Këtë e ka thënë të hënën në një konferencë me gazetarë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë.
“Përgjatë javës së shkuar kemi parë së paku dy shembuj të veprimeve që kanë nxitur shqetësimin e Bashkimit Evropian. Njëri ishte rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës dhe tjetra operacionet policore ndaj disa entiteteve të udhëhequra nga Serbia. Këta hapa janë shqetësues për shkak se ata nuk kontribuojnë në shtensionimin e situatës“, ka thënë Stano.
Me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që të përdorë vetëm euron për pagesa, nga 1 shkurti është hequr përdorimi i dinarit serb. Ky vendim i Kosovës u kundërshtua nga Serbia, ndërsa bashkësia ndërkombëtare kërkoi shtyrjen e zbatimit të tij me arsyetimin se ekziston shqetësimi se mund të ketë ndikim negativ te serbët e Kosovës.
Po ashtu, më 2 shkurt, në një aksion policor, autoritetet kosovare mbyllën tri komuna në Pejë, Istog dhe Klinë, të cilat funksiononin paralelisht në sistemin serb.
Stano ka theksuar se, “ato veprime, zakonisht, nuk janë të koordinuara, janë të njëanshme dhe pa nivelin e duhur të konsultimeve paraprake për të shmangur ndikimin negativ që mund të kenë ndaj njerëzve në terren. Prandaj, Bashkimi Evropian reagoi ndaj të dyja këtyre zhvillimeve“.
Sipas zëdhënësit të BE-së, këto deklarata ishin përforcuar edhe nga partnerët tjerë ndërkombëtarë si dhe nga ana e Komisionit Evropian.
“Natyrisht, se është shqetësuese kur shohim se një varg i hapave të njëanshëm mund të çojë deri te diçka që ne nuk do të donim të shihnim – përkeqësimi i situatës në terren. Sepse, një gjë është e qartë, ato veprime nuk japin kontribut për të qetësuar situatën dhe për të ndihmuar që njerëzit të ndihen se jeta e tyre po bëhet më e mirë. Krejt e kundërta. Prandaj është e rëndësishme të kthehen në dialog“, ka thënë ai.
Duke iu përgjigjur pyetjeve se a planifikohen takime të shpejta në kuadër të dialogut, zëdhënësi i BE-së ka thënë se po punohet në atë drejtim, porse nuk ka ndonjë datë të paraparë.
“Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, po punon me partnerët nga të dyja palët në rajon dhe në BE, si dhe me bashkësinë më të gjerë ndërkombëtare, në mënyrë që të mundësohet që të dyja palët të fillojnë të sillen në mënyrë konstruktive, të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të diskutojnë çështjet e rëndësishme pa hapa të njëanshëm“, është shprehur Stano.
“Nuk jam në gjendje të shpall ndonjë datë të ndonjë takimi të radhës. Përfaqësuesi i posaçëm po punon me një ritëm të përditshëm dhe shpresojmë se në një moment do të do të jemi në gjendje të caktojmë një takim të nivelit të lartë të presidentit nga Serbia dhe kryeministrit nga Kosova, ku do të bënim përpjekje për t’u ndihmuar t’i zgjidhin çështjet“, ka thënë ai, por ka përsëritur se “tash për tash nuk ka ndonjë afat kohor të caktuar”.
“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të angazhohen në procesin e konsultimeve dhe të shmangin hapat tjerë të njëanshëm sepse ata hapa kanë vërtet një efekt kundërproduktiv”, ka tëhënë Stano.
Bashkimi Evropian gjatë fundjavës kishte dhënë një deklaratë duke i kërkuar Kosovës që, çështjen e statusit të komunave që vazhdon t’i administrojë Serbia, t’a zgjidhë përmes dialogut.
/REL