Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtoi sot nismën e deputetit të Partisë Socialiste, Blendi Klosi për ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, që kanë për qëllim të zgjasin me 2 vite afatin e përfitimit të statusit special për entitetet që operojnë në struktura akomoduese “hotel/resort me katër dhe pesë yje”.
Klosi, në vitin 2019 propozoi në cilësinë e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat korporative për këtë kategori që merrnin statusin special deri në fund të vitit 2024.
“Ato struktura që përfitojnë statusin “in special”, deri në dhjetor të 2026-ës, që janë edhe mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”, të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat korporative për një periudhë 10-vjeçare”, propozohet nga deputeti Klosi në p/ligj.
“Bëhet fjalë për hotele të reja, asnjë hotel operues. Në përgjithësi është zona e bregdetit që përfiton nga ky status”, tha më tej Klosi.
Sipas Klosit, futja e hoteleve me 5 yje në Shqipëri do të sjellë tre gjëra shumë të rëndësishme.
“E para standardin, e dyta konkurrenca në rajon, konkurrenca në botën e turizmit. Nga vendosja e këtyre standardeve do të sjellë pikën e tretë shumë të rëndësishëm pasi hotelet me 5 yje janë shkolla më vete turizmi”, tha Klosi.
Sipas Klosit “ky projektligj synon incentivimin e sektorit të turizmit duke ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale, për strukturat akomoduese “hotel/resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimeve në legjislacionin e fushës së turizmit”.
Por deputetja e Partisë Demokratik Dhurata Çupi tha se ligji është me efekt të pastër elektoral dhe se po përdoret për të marrë vota për PS-në.