Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur procedimin penal për gjyqtarin e Fierit Roland Hysi, i cili është përfshirë së fundi në një skandal seksual.
Video e transmetuar dje në media, tregonte sesi Hysi i kërkonte para dhe favore seksuale një nëne, e cila kërkonte kujdestarinë e vajzës së saj, pasi ia kishte marrë i shoqi. Gruaja denoncuese tregoi për emisionin ‘Stop’ gjithë kalvarin që i është dashur të përballojë.
Gjyqtari i Fierit Roland Hysi i kërkoi seks si dhe 500 euro për t’i dhënë kujdestarinë e fëmijës. Në kamerën e fshehtë publikuar nga emisioni investigativ përfshihet edhe psikologia Elona Meçani, që bën edhe rolin e sekseres dhe që gjithashtu merr “pjesën e vet” prej 500 eurosh.
Në fakt gjyqtari Roland Hysi me një kërkim të thjeshtë rezulton të jetë një emër i përmendur dhe më herët në media, ku vetëm në një rast të bërë publik, ai ka marrë një vendim për kujdestarinë vetëm në katër minuta.
Vendimet e tij skandaloze kanë bërë që në datën 8 mars 2018, disa gra të dilnin në protestë kundër Hysit. Gjyqtari Hysi është nga Tirana dhe e bënte çdo ditë rrugën vajtje-ardhje në Fier, bashkë me psikologen Elona Meçani, e përfshirë në video skandal. Roland Hysi njihet për flirtet e tij brenda sallës së gjyqit me gratë viktima.
“Duhet të kesh ndonjë gjë të veçantë ti që s’të ndahen burrat”, i tha Hysi në sallën e gjyqit një prej grave viktimave e cila kërkonte urdhër mbrojtje.
Ndërkohë që vetë gjyqtari ishte i martuar dhe me dy fëmijë. Rasti i mëposhtëm lidhet me kohën prej 4 minutash që Hysit i duheshin për marrjen e një vendimi.
“Një gjykatësi në Fier i mjaftojnë 4 minuta për të marrë një vendim pushimi mbi një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje lëshuar nga policia. Çuditshem pala paditëse (nënë e divorcuar me një fëmijë 6 vjeç) qenka bindur të tërhiqet..e gjitha 4 minuta..kur vetëm në komisariat u mbajtën 6 orë për shpjegime dhe qetësim…Nuk është kjo drejtësia që duam…”, shkruante në Janarin e 2018-tës gazetarja Roshi me nota revolte kundër Hysit.
Discussion about this post