Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën drejtimin e Trump kanë ashpërsuar ndjeshëm masat kundër emigrantëve. Së fundi ata e zgjeruan vendimin polemizues të ndalimit të udhëtimit duke përfshirë në variantin e fundit të tij edhe qytetarët nga Koreja e Veriut, Venezuela dhe Çadi.
Shtëpia e Bardhë pretendon se kufizimet e reja janë pasojë e një rishikimi të informacioneve të ofruara nga qeveri të huaja. Donald Trump nxori një deklaratë të dielën mbrëma ku shpjegonte edhe një herë se motoja e tij “Ta bëjmë Amerikën të sigurtë” vazhdon të mbetet prioriteti numër 1 i Presidentit amerikan.
“Nuk mund të pranojmë në vendin tonë persona që nuk mund të verifikohen në mënyrë të sigurtë”, ishte komenti i tij. Ka një përjashtim sidoqoftë: ndalimi për venezuelianët prek vetëm zyrtarët qeveritarë dhe familjarët e tyre. Tre vendet e reja në listën e zezë të udhëtimit i bashkohen 5 ekzistueseve: Iranit, Libisë, Sirisë, Jemenit dhe Somalisë.
Deklarata e re ndërkohë e çliron nga kufizimet Sudanin. Urdhri i parë i Trumpit shkaktoi debate të nxehta në mbarë vendin e jashtë tij dhe duke qenë se prekte 6 vende me shumicë myslimane, nuk ishte e çuditshme që mori gjerësisht etiketimin “ndalim për myslimanët”. Lëvizja e shefit të Shtëpisë së Bardhë u bë subjekt i një sërë sfidave ligjore dhe protestave në shkallë të gjerë e tani fjalën e fundit mbi çështjen nevralgjike pritet ta thotë Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara në muajin tetor. , shkruan ”TCH”.
Gjatë korrikut, urdhri u rikthye pjesërisht në fuqi. Sipas grupit të të drejtave të njeriut, unioni i lirive qytetare të Amerikës, zgjerimi i listës me vende të reja nuk e ndryshon faktin që urdhri i administratës në thelb vazhdon të mbetet një ndalim për myslimanët.