Thomas Strakosha ka arritur të kualifikoje Lacion në finalen e Kupës së Italisë, edhe pse ka dalë i mundur në derbin kryeqytetas përballë Romës.
Pas suksesit 2-0 në sfidën e parë, bardhekaltrit kërkonin të menaxhonin suksesin 2-0 të sfidës së parë dhe ia kanë dalë mjaft mirë, duke treguar një lojë të kujdesshme në mbrojtje, ku protagonist ishte edhe portieri shqiptar me disa grushtime vendimtare në fillimin e takimit.
Lacion e ndihmoi fakti që kaloi e para në avantazh me anë të Milinkoviç-Saviç, duke komplikuar kështu edhe më shumë kualifikimin e Romës. Kjo e fundit barazoi shifrat me El Sharauin pata mbylljes së pjesës së parë, por u godit përsëri nga Imobile 10 minuta pas fillimit të fraksionit të dytë të ndeshjes.
Me rezultatin 2-1, Romës i duhej një mrekulli dhe e kërkoi me ngulm para Strakoshës, i cili arriti të devijonte në shtyllë një tjetër gjuajtje të El Sharauit, por Salah ndoqi aksionin dhe shtyu topin në rrjetë për golin e barazimit.
Më pas, porta e Strakoshës i kthye në poligon qitjeje pasi Roma provoi me çdo kusht që të mbyllte të paktën me fitore këtë ndeshje. Ajo ia arriti qëllimit të kalonte Strakoshën vetëm në minutën e fundit të ndeshjes, duke shfrytëzuar edhe një grushtim jo fort të sigurt të portierit shqiptar. Por shifrat 3-2 nuk vunë në rrezik kualifikimin e Lacios e cila shkoi në finale për herën e 3 në 5 vitet e fundit. (E.K/SHUPLAKA)