Një grup studentësh të Universitetit “Aleksandër Mosiu” në Durrës, të mbështetur dhe nga disa banorë, kanë paditur Bashkinë e Durrësit, për djegien e mbetjeve urbane në fushën e Porto Romanos.
Në Padi, kërkohet nga pala e paditur që të mbyllë vendgrumbullimin e mbetjeve në Porto Romano, Durrës, për arsye se funksionon në kundërshtim me ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve si dhe ligjin për mbrojtjen e mjedisit.
Ta kërkojnë gjithashtu, që bashkia të bëjë rehabilitimin e plotë dhe të menjëhershëm të vendgrumbullimit të mbetjeve në Porto Romano, Durrës.
Pjesë nga kërkesë padia:
” E nderuar Gjykatë,
Në kushtet kur megjithëse është iniciuar një procedurë administrative për të gjetur një zgjidhje për problemin tepër shqetësues të mbetjeve në zonën e Porto Romanos, me anë të shkresës së datës 05.11.2018, që i është drejtuar Bashkisë Durrës dhe për dijeni Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, nuk është kthyer asnjë përgjigje dhe nuk është marrë asnjë masë për mbylljen dhe rehabilitimin e lëndfillit në Porto Romano Durrës, e vetmja rrugë ligjore në dispozicion të paditësve është padia përpara Gjykatës Administrative Durrës, si gjykata kompetente nga pikëpamja territoriale.”
(F.GJ/FAXWEB.Al)