Pothuaj 100% e pronave në Malësinë e Madhe zotërohen vetëm nga meshkujt duke i lënë gratë tërësisht të varura financiarisht dhe krejt të pafuqishme.
Kjo është vetëm një nga gjetjet shqetësuese të studimit kryer në mars-prill të këtij viti nga organizata ndërkombëtare Oxfam dhe Qendra Për Nisma Qytetare Ligjore.
Studimi u prezantua sot në Tiranë në një konferencë kombëtare.
“Mungesa e titujve të pronësisë te gratë është e lartë në gjithë Shqipërinë dhe po ashtu në Ballkan, por Malësia e Madhe paraqet një ekstrem të vertëtë; gratë janë thuajse tërësisht të përjashtuara”, – thotë noterja dhe njëkohësisht njëra nga ekspertet e studimit, Elona Saliaj.
Studimi shqyrton në thellësi shkaqet e një gjendjeje të tillë. Tre me kryesorët janë mentaliteti maskilist i theksuar në zonë, indiferenca e institucioneve për të zbatuar që në fillim ligjin 7501 dhe fakti që shumica e tokës në Malësi të Madhe është ende pa çertifikatë pronësie. Pra, pronat posedohen faktikisht, por ende pa dokumente ligjore.
“Sipas gjetjeve tona, në vitin 1991, në këtë zonë nuk u zbatua ligji 7501 për ndarjen e tokës. Banorët vendosën mes tyre të ktheheshin tek kufijtë e vjetër, të njohur botërisht në zonë. Ata e ndanë tokën duke u bazuar tek zakonet kanunore të cilat mbështesin mënyrën e ndarjes së tokës te meshkujt e familjes. Gratë u përjashtuan nga ky proces ndryshe nga gratë e tjera në Shqipëri që përfituan tokë në mënyrë të barabartë me burrat sipas ligjit 7501”, – tha drejtuesi i Oxfam në Shqipëri, Andrea Loiacono.
Sipas studimit, pas kësaj ndarjeje faktike (e cila nuk njihet nga ligji), burrat gjithsesi janë pajisur nga institucionet locale me numrin AMTP , një dokument që të njeh posedimin e pronës, por jo pronësinë e saj.
Mbështetur edhe në sigurinë që “gjithkush në Malësi të Madhe i njeh pronat e veta”, ata nuk janë ndjerë të rrezikuar dhe aq më pak të nxitur për të bërë rregjistrimin e pronës në ZVRRP (Zyra Vendore për Rregjistrimin e Pasurisë) përkatëse. Për këtë arsye, shumica dërrmuese e pronave sot në këtë zonë nuk ka çertifikata pronësie, fakt që ka penguar shumë zhvillimin ekonomik të Malësisë së Madhe. Por ato që e kanë paguar dhe vazhdojnë ta paguajnë më shtrenjtë janë gratë; për 28 vite rresht tokat janë trashëguar dhe ndarë vetëm sipas vijës mashkullore të familjeve.
Pjesë e studimit është bërë edhe një pyetsor i hollësishëm me 39 gra të fshatrave Reç, Dukë, Dedaj, Lohë, Bzhetë etj, duke nxjerrë në pah se çfarë mendojnë ato përgjithë këtë gjendje. Sipas gjetjeve, ato kanë hequr shumë shpesh dorë nga të drejtat e trashëgimisë dhe thuajse kurrë nuk i janë drejtuar zyrave përkatëse për ta patur emrin në dokumentet e deklarimit apo rregjistrimit të pasurisë sepse nuk e kanë ditur që kanë të drejtë për ta bërë një gjë të tillë.
“Kur një grua distancohet nga prona, nga toka, nga gjithçka, atëherë ajo nuk ka fuqi dhe pushtet për asgjë,-thotë Sadete Duka, njëra nga banoret e përfshira në studim. –Sapo të na çertifikohen pronat nga institucionet përgjegjëse, unë, nusja dhe vajza do të kërkojmë që ta kemi emrin në dokumente, po ashtu si burrat”. Si 38 gratë etjera të intervistuara, ajo tha se ishte hera e parë që merrte ballë për ballë informacione se i takonte kjo e drejtë ligjore dhe se si mund ta kërkonte atë.
Një nga pjesët më të rëndësishme të studimit është ajo e zgjidhjeve konkrete për këtë situatë ekstreme të Malësisë së Madhe.
“Në rekomandojmë përshpejtimin e procesit të regjistrimit fillestar, duke marrë në konsideratë specifikat e zonës pra ndarjen faktike të tokës sipas Kanunit dhe pronave të paraardhësve. Hedhja e pronave të zonës në sistemin e rregjistrimit të tokave është propozuar edhe nga specialistët e kadastrës dhe ZVRRP lokale, si një hap i rëndësishëm për zbutjen e gjendjes së grave në Malësi të Madhe. Dhe për të nxitur kryerjen e rregjistrimit nga vetë gratë, propozojmë krijimin e procedurave noteriale si dhe ato administrative të regjistrimit të thjeshtëzuara me tarifë të reduktuar, posaçërisht për to”, -thanë ekspertet e studimit Elona Saliaj dhe Enkeleda Olldashi.
Sipas tyre, është e qartë që banorët nuk kanë njohuri të sakta të ligjeve përkatëse ndaj është domosdoshmëri ndërmarrja e fushatave informuese për burrat dhe gratë të zonës në lidhje me parashikimet ligjore për regjistrimin e së drejtës së pronësisë dhe institucionet përgjegjëse dhe kompetencat e tyre.”