Sipas studimit të kryer së fundmi për pasojat ekonomike të shkrirjes së akullit, çlirimi i metanit dhe dyoksidit të karbonit nga shkrirja e akullit do ta përshpejtojë ngrohjen globale dhe do t’i kushtojë botës rreth 70 trilionë dollarë.
Nëse shtetet kryesore dështojnë t’i përmbushin zotimet e marrëveshjes së Parisit për klimën, kjo gjendje do të shkaktojë rritje prej 5% në ngrohjen globale dhe pasojat e saj të ndërlidhura. Kështu thuhet në hulumtimin e publikuar në revistën “Nature Communications”.
Autorët e këtij studimi thonë se hulumtimi i tyre është i pari që tregon nivelin e ndikimit ekonomik të shkrirjes së akullit. Sipas tyre, studimi është mbështetur në modelet më të avancuara kompjuterike për parashikimin e gjendjes së akullnajave.
Sipas trajektores aktuale të rritjes së temperaturës deri 3 gradë deri në fund të shekullit, shkrirja e akullnajave pritet ta shkaktojë lirimin e 280 gigatonëve të dioksidit të karbonit dhe 3 gigatonëve të metanit. Metani ka efekt që është 10 deri 20 herë më i fuqishëm se efekti i dyoksidit të karbonit.
Kështu, kjo gjendje do të shkaktonte humbje prej 70 trilionë dollarësh nga ky vit deri në vitin 2300. Kjo shifër është dhjetë herë më e madhe sesa shifra e parashikuar e dobive të shkrirjes së akullit. Si dobi të shkrirjes vlerësohen navigacioni më i lehtë i anijeve dhe qasja në minerale, shkruan “The Guardian”.