Suada Sherifi tashmë është mami i një vogëlusheje të bukur të quajtur Deizi. Dhe jo vetëm kaq, por mund të themi që ajo tashmë është edhe një bizneswoman e suksesshme.
Kjo është vera e parë për Suadën që e kalon si një mami e re e me shumë angazhime. Në intervistën për “Summer Pages” të “Gazetës Shqiptare”, ish-misi rrëfen jetën e re mes ambicies për televizion dhe mëmësisë.
Më tej, bukuroshja zbulon për lexuesit tanë planet për pushimet verore, që këtë vit do të jenë ndryshe nga herët e tjera, për shkak të vogëlushes së çiftit, Deizi.
Si ka nisur kjo verë për Suadën?
Vera ka nisur shumë mirë, është vera ime e parë për mua si nënë, por edhe si bizneswoman, pasi kam pak kohë që kam hapur një klinikë dermo-estetike. Jam gjatë gjithë kohës e zënë dhe e angazhuar, por njëkohësisht edhe e lumtur.
Duket se mëmësia e ka tërhequr Suadën nga ekrani. A ju mungon televizioni?
Në fakt, unë gjithmonë kam qenë selektive, dhe po kështu vazhdoj të jem. Por nuk jam për t’u tërhequr ndonjëherë për sa kohë mua pjesëmarrja në ekrane të ndryshme më jep kënaqësi.
Kur do të jetë momenti i një rikthimi në televizion?
Në këtë periudhë kam shumë angazhime. Deizi është prioriteti im, pastaj klinika dhe noteria. Për momentin jam e angazhuar dhe nuk mendoj se do e përballoja dot diçka fikse në ekran.
Sa e ka ndryshuar jetën tuaj Deizi?
Deizi ka ndryshuar komplet filozofinë e jetës sime. Regjimin tim! Ambiciet e mia! Unë sot dal në punë dhe motivohem në maksimum prej saj, që ajo të ketë disa gjëra të ngritura prej meje! Që ajo të ketë një mama të përkushtuar ndaj punës dhe ta ketë si pikë referimi! Natyrisht, ajo është qendra e botës sime dhe para saj nuk vë kurrë punën, por do të doja ta mësoja edhe me pjesën e shkëputjes dhe pavarësisë që tani që është e vogël, që të mos e kishim dramë shkëputjen për disa orë.
Çfarë mamaje jeni; e fiksuar pas vajzës, apo u lini kohë dhe mundësi gjyshërve të rrinë me të?
Jo, nuk jam e fiksuar! E shijoj vajzën time pa strese të tepërta dhe të njëjtën gjë u jap mundësinë edhe gjyshërve. Mendoj se dashuria që merr prej tyre është një dhuratë plus për Deizin, dhe kurrsesi nuk do t’ia kurseja Deizit këtë! Plus që dua të jetë një fëmijë social, e dashur, e sjellshme, dhe të rrethohet me njerëz. Natyrisht, të gjithë pjesëtarë të familjes, sepse ajo është ende shumë e vogël për një rreth më të gjerë se kaq. Gradualisht duke u shtuar edhe rrethi i Deizit.
Si do të jenë pushimet tuaja këtë vit me Deizin? Ku do t’i kaloni ato?
Jemi duke i planifikuar pushimet. Deizi nuk mund të mungonte kurrsesi. Alternativa 10 ditë pa Deizin nuk mund të supozohej fare! Kemi menduar ta nisim me Jugun e Francës, për të përfunduar në Spanjë.
A keni hequr dorë nga festat e natës apo schiuma party-t për hir të vajzës?
Sigurisht që kemi hequr dorë! Gjatë ditës mund të kem edhe pak ndihmë për vajzën, por gjatë natës kurrsesi nuk mund ta lë vetëm. Unë kam një gjumë shumë të lehtë dhe kam shumë siguri te kjo pjesë.
Një nga mamatë më seksi në showbiz. Si arriti Suada të rifitojë linjat pas lindjes?
E vërteta fare është që, përveç një regjimi që unë e kam mbajtur edhe gjatë shtatzënisë, që konsiston në një dietë të shëndetshme, unë ushtrohem në palestër 2-3 herë në javë këtë periudhë. Një faktor kyç është geni dhe metabolizmi! Plus vite të tëra që kam luajtur basketboll, janë një ndihmë shumë e madhe për t’u rikthyer në formë.
Ke një këshillë për të gjitha nënat e reja?
Të mendojnë për mirëqenien e tyre emocionale. Kur bëhesh nënë, ndonjëherë të vret ndërgjegjja, edhe pse ke dalë thjesht me një shoqe. Mos e ekzagjeroni deri në këtë pikë! Bebi ka nevojë për një mama që vjen në shtëpi me energji të reja dhe pozitive. Në qoftë se nuk është një mama e lumtur, asnjë s’është i lumtur.
Kur do ta shohim Suadën nuse?
Kemi menduar të bëjmë diçka shumë të veçantë, por deri atëherë nuk dua të flas shumë.
Keni menduar për një vëlla për Deizin?
Patjetër, por është akoma herët, Deizi është vetëm 9-muajshe./ gsh.al