Edhe dita e dytë e aplikimit për skemën e mbështetjes në bujqësi është shoqëruar me rradhë dhe dyndje të fermerëve në zyrat e bujqësisë në Elbasan.
Edhe pse janë hapur disa sportele që ofrojnë shërbim ka qënë e pamundur të shmangen rradhët dhe pritjet me orë të tëra.
Disa prej fermerëve aplikonin për herë të parë, ndërsa të tjerë jo. Edhe këta të fundit ndonëse të dhënat i kanë në sistem u kanë dalë probleme pasi në disa rase portali e-albania është bllokuar ose fermerët kishin humbur kodet personale.
Të tjerë shprehen të shqetësuar pasi mosha nuk ua mundëson qëndrimin me orë të tëra në këmbë për të aplikuar. Ata kërkojnë që ky shërbim të ofrohet pranë njësive të tyre administrative.
Nga skema mbështetëse në bujqësi, kësaj herë nuk do të jenë përfitues vetëm fermerët, por edhe blegtorët, bletarët, peshkatarët. Sakaq aplikimet do të jenë të hapura deri më 11 prill.
Edhe në Korçë në ditën e dytë te aplikimeve për përfitimin e naftës ka patur sërish dyndje dhe rradhë në drejtorinë e bujqësisë. Dhjetra fermerë në rradhë për plotësimin e dokumentacionit dhe aplikimin në e – Albania.
Rradha prej mëngjesit të sotëm, ndërsa pritet te vijojë edhe në vazhdim për shkak të dyndjes. Herë pas here, sistemi has probleme dhe ky bëhet shkak për krijimin e rradhës në këtë drejtori.