Nuk ka qetësi nga sulmet me bomba në Afganistanin. Dhjetëra vetë humbën jetën nga një sulm vetëvrasës në perëndim të kryeqytetit Kabul.
Shënjestra e kamikazit ishte qendra shiite Tabayan, e cila strehon organizata kulturore e fetare. 40 të vdekur e 30 të plagosur është bilanci i viktimave të shpërthimit, i pari i tre të tillëve në zonë. Askush nuk e ka marrë deri tani përgjegjësinë e ngjarjes, por këto muajt e fundit, militantët e Shtetit Islamik kanë qenë mjaft aktivë duke shënjestruar shiitët në mbarë vendin.
Talebanët nxituan të nxirrnin një deklaratë ku mohonin përfshirjen në këtë ngjarje. Vetëm 3 ditë më parë, një tjetër sulm kamikaz la të paktën 10 të vdekur në Kabul dhe në muajin tetor 39 vetë gjetën vdekjen nga goditja e një xhamie të minoritetit shiit.
Myslimanët shiitë, të konsideruar nga Shteti Islamik si politeistë dhe heretikë, kanë qenë dhe mbeten grupi më i shënjestruar prej ekstremistëve të dhunshëm që u përfshinë në një fushatë të mirëfilltë shkatërrimi të faltoreve, xhamive dhe vendeve të tyre të adhurimit.
(E.K/FAXWEB)