Operatori ukrainas i energjisë DTEK njoftoi “ndërprerje emergjente të energjisë” në rajonin e Kievit dhe dy rajone lindore të vendit të dielën, pasi autoritetet kombëtare denoncuan më herët një sulm “masiv” rus në rrjetin energjetik të vendit.
Shkalla e dëmit nuk ishte menjëherë e qartë. Zyrtarët ndërprenë furnizimin me energji elektrike në rrethe të shumta të qytetit, duke përfshirë edhe Kievin. Autoritetet në rajonin Volyn në veriperëndim të Ukrainës thanë se infrastruktura energjetike kishte pësuar dëmtime, por nuk dhanë detaje.
Në Mykolaiv në jug, dy persona u vranë në sulmin me dron gjatë natës, tha guvernatori rajonal. Shpërthimet tronditën qytetin juglindor të Zaporizhzhia dhe portin e Odesës në Detin e Zi, thanë dëshmitarët e Reuters. Më shumë shpërthime u raportuan në rajonet e Kryvyi Rih në jug dhe Rivne në perëndim. Ministri i Energjisë, German Galushchenko, tregoi në Telegram se “një sulm masiv ndaj sistemit të energjisë elektrike ka ndodhur” dhe se forcat ruse po “sulmojnë objektet e prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike në të gjithë vendin”. “Ndërprerje emergjente të energjisë elektrike në rajonin e Kievit, rajonin e Donetsk, rajonin e Dnipropetrovsk”, shkroi DTEK në Telegram.