Gjyqtari i GJKKO-së, Erjon Bani, theksoi se të gjithë gjyqtarët e këtij institucioni, përfshirë edhe familjarët e tyre, mund të jenë të përgjueshëm në kohë reale, duke shtuar se çdo informacion dhe komunikim mund të monitorohet. Ai sqaroi se, për shkak të ligjit dhe masave të monitorimit të rrepta, integriteti i gjyqtarëve është i prezumuar, dhe kush ka indicie konkrete kundër tyre duhet t’i drejtohet organeve kompetente, jo që të bëhet një “gjyq” i gjyqtarëve.
Bani theksoi se përzgjedhja e gjyqtarëve të GJKKO kalon përmes një procesi të thelluar verifikimi, më të rreptë se ai i gjyqtarëve të tjerë. Ai shtoi se jo vetëm pasuria dhe integriteti i gjyqtarëve kontrollohen, por edhe i familjarëve të tyre në një rreth të gjerë. Për më tepër, monitorimi i pasurisë dhe aktivitetit të gjyqtarëve është nën mbikëqyrjen e institucioneve si BKH dhe drejtoria për parandalimin e pastrimit të parave.
Sipas Banit, parimi ndërkombëtar i jurisprudencës së Strasburgut është që integriteti i gjyqtarëve është i prezumuar nga momenti i emërimit të tyre. Ai theksoi se, për të ruajtur besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, procesi i vettingut për gjyqtarët e GJKKO është shumë më i thellë dhe ndryshe nga ai i gjyqtarëve të tjerë. Në fund, Bani u shpreh se kushdo që ka dyshime për integritetin e gjyqtarëve duhet t’i adresojë ato në organet përkatëse dhe jo të kërkojë gjykim publik të gjyqtarëve.
Erjon Bani: Lidhur me integritetin si GJKKO dhe SPAK dhe BKH janë institucione më të monitoruara, për shkak të ligjit. Jo vetëm gjyqtarët, por edhe familjarët i nënshtrohen kontrollit periodik të pasurisë, monitorimit nga drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, dhe mund të përgjohen në kohë reale të gjitha komunikimet, të gjitha mesazhet.
Sa i takon integritetit, duhet të theksojmë një fakt që parimet ndërkombëtare dhe jurisprudenca e Strasburgut kanë një parim të rëndësishëm që prezumohet integriteti, besueshmëria e gjyqtarëve në momentin që janë emëruar. Kjo gjë prezumohet. Kush ka indicie në lidhje me integritetin duhet t’i adresojë në organet kompetente. Nuk mund të behët gjyqi i gjyqtarit. Gjyqin e gjyqtarit e bën vetëm një gjykatë më e lartë. Këto janë parimet që duhet të kuptohen.
Sa i takon kritereve që të bëhesh pjesë e GJKKO ka një kontroll të posaçëm në organet e vettingut. Vettingu ishte më i thellë, dhe qëllimi ishte për të kthyer besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Ne kemi kaluar filtër ndryshe nga gjyqtarët e tjerë.
Integriteti këtu është prezumuar, kush ka dyshime t’i adresojë në organet kompetente. Vettingu që iu është bërë gjyqtarëve të GJKKO nuk i është bërë asnjë gjyqtari. Është kontrolluar, pasuria, integriteti dhe pasuria, por është kontrolluar integriteti i familjarëve të tyre në rreth shumë të gjerë.