Për sulmet që ndodhën në Manchester mbrëmjen e djeshme ku mbetën të vrarë 22 persona ka reaguar edhe kreu i kuvendit Ilir Meta. Meta i ka dërguar një mesazh ngushëllimi John Bercow-it, Kryetarit të Dhomës së Deputetëve në Londër dhe shpreh keqardhjen e tij për këtë sulm.
Sipas Metës ky është një krim barbar dhe jep ngushëllimet e tij për familjarët.
MESAZHI:
I nderuar zoti Kryetar, Me hidhërim dhe keqardhje të thellë mësova lajmin tronditës për sulmin e tmerrshëm në Manchester ku shumë të rinj humbën jetën në moshën e tyre më të bukur. Sulmi në Manchester është një krim barbar i cili nuk është tragjedi vetëm për vendin tuaj por për gjithë botën e qytetëruar. Në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal më lejoni t’Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Ju dhe të gjithë familjarëve që humbën njerëzit e tyre më të shtrenjtë e t’Ju siguroj se Shqipëria dhe shqiptarët qendrojnë pranë popullit tuaj në këtë cast të vështirë dhe përkrah gjithë botës së civilizuar në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Më lejoni mik i shtrenjtë të bashkoj lutjet e mia të sinqerta për viktimat e pafajshme që shpirtrat e tyre të prehen në paqe dhe t’u uroj shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve. Duke Ju përcjellë ndjenjat e miqësisë së sinqertë dhe solidaritetit të plotë. Sinqerisht Ilir META Sh. T. Z. John BERCOW Kryetar i Dhomës së Deputetëve LONDON.
(J.V/Shuplaka)