Eksperti i IT-së, Gent Progni, ka folur rreth hakerimit të sistemeve të INSTAT dhe KLP.
I pyetur se çfarë po ndodh me institucionet shqiptare dhe me sigurinë në to, ai tha:
“Unë mendoj se kjo tregon fuqinë që ka ky grup interesi për të shantazhuar dhe për të detyruar tendera të caktuar. Me sa di unë, databaset e KLP-së kanë informacione të shumta për grupe, prokurorë e gjykatës të caktuar. Kështu që, mendoj se është dëshirë e këtij grup interesi për të marrë informacione të shumta.”
I pyetur për mosfunksionimin 2-ditor të portalie e-albania, Progni tha:
“Kjo është pak e çuditshme realisht, sepse me gjithë ato miliona euro që kemi paguar dhe gjithë sistemet që AKSHI pranon që i ka, ne duhet të kishim një sistem të dublikuar që funksionon në “real time”, dhe këto optimizime dhe teste që lajmërohen nga e-albania , duhet të bëheshin në atë sistem. Kalimi online bëhet për punë minutash. Fakti që ata po bëjnë këtë bllokimin për dy ditë, lë shumë pikëpyetje. Gjithashtu ata e pranojnë vetë se sistemet nuk i kanë ashtu siç thonë, sepse nuk do duheshin 2 ditë për të shtuar një feature. Sistemi që ata po shtojnë, është sistem i vitit 2010 dhe ne sot jemi në vitin 2024. Kjo të bën të mendosh se ata po tentojnë të fshijnë prova.”
Progni gjithashtu dha komentin e tij për përgjegjësinë e shtetit për këto sulme kibernetike.
“Që kur dolën patronazhistët, ne kemi vjedhje të dhënash dhe askush nuk mban përgjegjësi. Këtu tregohet se sa i paaftë dhe i papërgjegjshëm është ky shtet, të paktën për mbrojtjen e të dhënave. Kështu që nuk pres asgjë nga ky shtet dhe nga kjo qeveri. Minimumi që kjo qeveri duhet të kishte bërë, ishte të jepte dorëheqjen. Janë paguar me miliona euro dhe aktualisht po hakerohemi një herë në dy muaj”, tha Progni.