Një sulm ndaj ambasadës së Malit të Zi në Beograd, ka ndodhur rreth mesnatës, dhe ka nxitur reagimin e kryeministrit malazez Dusko Markoviç.
Ai tha se shteti i tij po përballet me një sulm ndaj pavarësisë dhe lirisë, pas sulmeve në zyrat diplomatike në Beograd dhe Lubjanë, ku ka pasur dhe përpjekje për djegien e flamurit.
Markoviç shkruajti në llogarinë e tij në Twitter se “qëndrimi i autoriteteve të Serbisë është tronditës. Mali i Zi po përballet edhe një herë me sfidën për pavarësinë dhe lirinë e tij.” Ai shtoi se Mali i Zi do të ruhet “përkundër urrejtjes që i ekspozohet njerëz brenda dhe jashtë vendit.”
Ligji i miratuar kohët e fundit për Komunitetet Fetare shkaktoi një valë protestash në të gjithë Malin e Zi, të organizuar nga serbët vendas dhe Kisha Ortodokse Serbe (SPC), i cili e përshkroi ligjin si të dëmshëm për interesat e tyre në republikën bregdetare.
Reagimi i Markoviçit gjatë mëngjesit të sotëm erdhi pas protestës së mbrëmshme para ambasadës së Malit të Zi në Beograd të inskenuar nga tifozët e klubit sportiv të Yllit të Kuq.
Pas ndeshjes së basketbollit kundër skuadrës gjermane Bayern, gjatë së cilës mbështetësit brohorisnin parulla fyese për Presidentin e Malit të Zi Milo Djukanovic, tifozët shkuan në ambasadën e vendosur në zemër të qytetit.
Ata përdorën mjete piroteknike në një përpjekje për të djegur flamurin e Malit të Zi në krye të ndërtesës. Agjensia e lajmeve Beta raportoi se asnjë polic me uniformë nuk ishte i pranishëm, por vetëm oficerë të thjeshtë civilë.
Incidente të ngjashme kanë ndodhur jashtë konsullatave të Malit të Zi në Serbi dhe Mal të Zi, të cilat Ministria e Jashtme e Podgoricës i cilësoi si “vandalizëm”.
Lidhur me këtë sulm në drejtim të ambasadës malazeze, ka reaguar dhe Partia Demokratike në Shqipëri, e cila e konsideron të papranueshme heshtjen e qeverisë së Edi Ramës. Sipas PD Rama ka zgjedhur të mbyllë gojën përballë këtij përshkallëzimi të rrezikshëm të Beogradit kundër stabilitetit dhe sovranitetit të Malit të Zi.
“Kjo heshtje bëhet edhe më e rëndë, kur Shqipërisë i është lënë në dorë kryesimi i OSBE-së, organizatës që motiv të ekzistencës ka sigurinë dhe standartet demokratike te bashkëjetesës”, deklaron mes të tjerave PD.
Deklarata e plotë e Partisë Demokratike:
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është vënë në epiqendër të sulmeve ambasada e Malit të Zi në Beograd. Përveçse një akt i rëndë, shqetësim sjellin raportimet se në përbërje të turmave dhe në drejtim të tyre kanë qenë grupe dhe eksponentë radikalë me të shkuar kriminale, shumë prej tyre pjesë e forcave paramilitare serbe, që kanë kryer masakra gjatë luftrave në ish-Jugosllavi.
Etja e pashuar e qarqeve në Beograd për dominim kërcënon seriozisht stabilitetin e Ballkanit. Përpjekja e përsëritur për të destabilizuar Malin e Zi synon gjithashtu, të devijojë dhunshëm orientimin euroatlantik të këtij vendi.
Kjo veprimtari tejkalon konfliktet ballkanike dhe përbën një akt të hapur provokimi ndaj NATO-s, BE-së dhe paqes e stabilitetit në rajonin tonë.
Partia Demokratike e Shqipërisë mbështet plotësisht orientimin euroatlantik të Malit të Zi, mbështet vendimet e institucioneve të zgjedhura të këtij vendi në konsolidimin e sovranitetit të shtetit.
Është e papranueshme heshtja e qeverisë së Tiranës lidhur me këtë situatë të rënduar në Mal të Zi. Kreu i kësaj qeverie ka zgjedhur të mbyllë gojën përballë këtij përshkallëzimi të rrezikshëm të Beogradit kundër stabilitetit dhe sovranitetit të Malit të Zi. Kjo heshtje bëhet edhe më e rëndë, kur Shqipërisë i është lënë në dorë kryesimi i OSBE-së, organizatës që motiv të ekzistencës ka sigurinë dhe standartet demokratike te bashkëjetesës.
Partia Demokratike u bën apel organizmave ndërkombëtarë që të monitorojnë me vëmendje këtë situatë krize, të nxitur nga forca e vullnete që kërkojnë devijimin e Malit të Zi dhe krejt rajonit nga kursi euroatlantik, i përcaktuar nga vullneti i lirë qytetarëve të saj, drejt një kursi të kundërt, të dëmshëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, të imponuar nga vullneti i klikave të korruptuara, antidemokratike, me joshje totalitariste.
(E.K/Faxweb.al)