Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Bernd Borchardt, ka folur për herë të parë, pas sulmit që iu bë banesës së tij, ku të rinjtë e forumeve politike shkruan në murin e pallatit të tij “Turp për ju”.
Një situatë kjo që u pasua me shoqërimin e disa të rinjve, dhe me pretendimin e mazhorancës që ishte cënuar rëndë siguria e ambasadorit.
Sot i ftuar në konferencën ndërkombëtare shkencore me temë “Fytyra e ‘armikut të popullit’ gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri, 1944-1990”, Borchardt ka folur dhe për politikanët e sotëm shqiptar.
“Mjerisht, e dëgjoj tepër shpesh këtë diskurs diktatorial nga tepër politikanë të spektrit politik shqiptar, që nga rënia e regjimit komunist deri në ditët e sotme. Pra, hijet janë të gjata. Tepër aktorë politikë kryesorë, herët a vonë, përfundojnë duke akuzuar njëri-tjetrin me metaforat dhe retorikën karakteristike për mënyrën sesi metoda e “armikut të popullit” e kupton politikën dhe jetën publike.
Kjo vazhdon ta dëmtojë shoqërinë edhe sot, shumë kohë pasi regjimi politik diktatorial vrastar ka dhënë shpirt, përmes mbajtjes gjallë të perceptimit se një person i vetëm mishëron kombin dhe ka pushtetin të përcaktojë dhe ndëshkojë armiqtë në emër të një nocioni të fabrikuar të moralit, që gjoja rrjedh nga masat”, është shprehur ambasadori.
Fjala e plotë e ambasadorit të OSBE
Kur Genta më ftoi për të folur sot këtu, mendova për konceptin e armikut të popullit dhe u përpoqa të bëja një kërkim se nga rridhte ky koncept, cila është historia e tij, cila është ideologjia pas tij dhe, veçanërisht sërish gjatë ditëve të fundit, mendova për hijet e tij të gjata.
Përmendja e parë e “hostis publicus,” armikut publik, i referohet perandorit Neron dhe u përdor nga Senati Romak kundër tij. Shekspiri e rimerr termin në fillim të shekullit XVII në dramën e tij që bën fjalë për fatin e gjeneralit romak Koriolanus, i cili luajti rol në historinë e hershme të Republikës Romake.
Në dijeninë time – hera e parë që termi u përdor në kuptimin e sotëm, si armë në duart e demagogëve dhe diktatorëve, pjesë e pseudojustifikimeve të sundimit totalitar, ishte gjatë revolucionit francez. Në vitin 1792, Robespieri deklaroi se “qeveria revolucionare ka si detyrim ndaj qytetarëve të mirë të gjithë mbrojtjen e shtetit – ajo nuk u detyrohet asgjë armiqve të popullit, përveç vdekjes”. Ne të gjithë e dimë sa njerëz vdiqën në gijotinë gjatë rrjedhës së mëtejshme të revolucionit ose gjatë masakrave në Vendee dhe në shumë raste të tjera që lidhen me Regjimin e Terrorit, siç u quajt më vonë kjo periudhë e revolucionit francez.
Në atë kohë, ishte zhvilluar një ideologji, e cila u përdor për të justifikuar këto mizori. Veçanërisht, idetë e Jean-Jacques Rousseau u përdorën si themel për idenë totalitare të një “vullneti të përgjithshëm”, që e lejon ligjvënësin të pretendojë se mishëron vullnetin e popullit dhe idenë, po aq totalitare, se ekziston një e vërtetë politike absolute dhe e përsosur që mund dhe duhet të përdoret për të riformatuar shoqërinë dhe që legjitimon ushtrimin e pakontrolluar të pushtetit. Kjo e lejoi Robespierin dhe dishepujt e tij të formonin diktaturën e parë totalitare në kohët moderne dhe të përpiqeshin për të formësuar një shoqëri të tërë sipas vizionit të tyre. Këtu nënkuptohej shfarosja fizike e “kundërrevolucionarëve” dhe gjithë atyre që konsideroheshin si të paintegrueshëm në shoqërinë e ardhshme të përsosur, pra “armiqve të popullit.”
Nuk është çudi që Hitleri, Lenini, Mao dhe Pol Poti e admironin Robespierin dhe u bazuan në konceptin e tij për luftën kundër armiqve të deklaruar të popullit: Hitleri me hebrenjtë, Lenini me borgjezinë dhe menshevikët e kështu me radhë. Unë nuk e di nëse Enver Hoxha e përmendte Robespierin, por ai vepronte sipas mësimeve të tij.
Të gjithë këta e bazonin legjitimitetin e pushtetit të tyre në një identifikim pothuajse mitik të udhëheqësit me njerëzit, në një udhëheqës/fyhrer, i cili mishëronte “vullnetin e përgjithshëm” të popullit dhe nuk kishte nevojë për ndonjë legjitimim tjetër të pushtetit – sigurisht jo e jo për një legjitimim aq të rëndomtë si ai që vjen nga kutia e votimit.
Në fillim të shekullit XX, koncepti i armikut të popullit ishte futur tashmë edhe në art: shkrimtari norvegjez Henrik Ibsen shkroi dramën tejet të zymtë me të njëjtin titull, ku përshkruhej përdorimi i termit për të frikësuar, izoluar dhe përdorur mjete represive kundër atyre që mendojnë ndryshe.
Në dramë dhe në histori – koncepti i armikut të popullit është një nga shtyllat qendrore të të menduarit totalitar, ku faktet nuk lidhen më me teorinë, e cila për ithtarët dhe ata që nuk vënë në punë mendjen, qëndron mbi faktet. Në një situatë të tillë, vjen një pikë kur nuk flitet më për të vënë në pikëpyetje dhe për të vërtetuar apo hedhur poshtë teorinë, por për të besuar në të me zell thuajse fetar. Në rrethana të tilla, e vërteta dhe debati zhduken nga terreni intelektual dhe zëvendësohen nga sloganet dhe pushteti.
Ne nuk i kemi lënë pas njëherë e mirë këto rreziqe totalitare: një tabloid britanik i quante “armiq të popullit” gjyqtarët që morën vendim për kufizimin e pushtetit ekzekutiv të qeverisë në kontekstin e Brexit-it; ose sillni ndër mend të ashtuquajturat “media që japin lajme të rreme” të etiketuara si “armike të popullit”.
Po në Shqipëri – sa të gjata janë hijet e së kaluarës totalitare këtu? Sa më shumë nxehet debati, aq më shumë dëgjojmë anatemime në grup të atyre që mendojnë ndryshe. Nuk dëgjojmë argumente kundër pikëpamjeve të tyre. Flitet dhe shkruhet për të zhbërë karaktere – dhe jo për fakte apo argumente logjike kundër qëndrimit që ata përfaqësojnë. Refuzohet dialogu me kundërshtarin politik. Sulmohen ata që përpiqen të vendosin faktet kundër mitit.
Mjerisht, e dëgjoj tepër shpesh këtë diskurs diktatorial nga tepër politikanë të spektrit politik shqiptar, që nga rënia e regjimit komunist deri në ditët e sotme. Pra, hijet janë të gjata. Tepër aktorë politikë kryesorë, herët a vonë, përfundojnë duke akuzuar njëri-tjetrin me metaforat dhe retorikën karakteristike për mënyrën sesi metoda e “armikut të popullit” e kupton politikën dhe jetën publike. Kjo vazhdon ta dëmtojë shoqërinë edhe sot, shumë kohë pasi regjimi politik diktatorial vrastar ka dhënë shpirt, përmes mbajtjes gjallë të perceptimit se një person i vetëm mishëron kombin dhe ka pushtetin të përcaktojë dhe ndëshkojë armiqtë në emër të një nocioni të fabrikuar të moralit, që gjoja rrjedh nga masat.
Por ka edhe mendimtarë që mendojnë ndryshe. Përmenda Rusonë. Karl Popper ka identifikuar një aradhë filozofësh të cilët kanë mbështetur me mendimet e tyre politikat totalitare kundër shoqërive të hapura. Ai formuloi një alternativë të fuqishme kundër idesë së “vullnetit të përgjithshëm” si formë legjitimi për pushtetin. Ai na mësoi se pyetja “kush duhet të qeverisë” është e gabuar. Kjo pyetje ka çuar në diktaturat mizore të shumicave, në “vullnetin e përgjithshëm” të mishëruar në një udhëheqës të vetëm, ose në “vullnetin e proletariatit” të mishëruar në partinë komuniste, apo në vullnetin për të shfarosur popullsinë hebraike të mishëruar te Fyhreri.
Pyetja që Popper ofron si alternativë është: Si të kontrollojmë përdorimin e pushtetit, si të pengojmë abuzimin e pushtetit? Zgjedhjet e rregullta me pjesëmarrje të gjerë, institucionet e pavarura, shteti ligjor i pakorruptuar, shoqëritë e hapura, ku qytetarët kanë të drejtën e informimit, në mënyrë që të kontrollojnë pushtetin dhe të marrin vendimet duke pasur në dorë faktet – janë përgjigjet e tij thelbësore.
Shqipëria ka ende mjaft rrugë për të bërë përpara se të arrijë në këtë stad ideal. Siç e kemi parë, rruga është e mbushur me sfida, madje edhe në demokracitë shekullore.
Ne, si Prezencë e OSBE-së, jemi këtu për ta ndihmuar Shqipërinë që të vijojë të ecë në këtë rrugë.