Senati amerikan hodhi poshtë të martën një përpjekje të republikanëve për të ndalur gjyqin e pritshëm ndaj ish-presidentit Donald Trump. Ish-presidenti akuzohet për nxitje dhune lidhur me trazirat e përgjakshm në Kapitol më 6 janar.
Në qendër të rezistencës ishte Senatori republikan, Rand Paul, i cili kërkoi hedhjen në votë të kushtetutshmërisë së zhvillimit të gjyqit, në një kohë që zoti Trump nuk është më president.
“Neni dy, seksioni katër i Kushtetutës thotë se Presidenti, Nënpresidenti, apo nëpunës qeveritarë do të hiqen nga detyra me shkarkim nëse shpallen fajtorë për tradhti, rryshfete apo krime të tjera të larta. Që nga mesdita e së mërkurës së kaluar, Donald Trumpi nuk ka assnjë nga postet e renditura në Kushtetutë. Ai është qytetar privat,” tha Senatori Paul.
Senatori Rand Paul e cilëson procesin “një inskenim”. Ai dhe disa republikanë të tjerë, këmbëngulin që në bazë të ligjit nuk ekzistojnë premisat për një gjyq të tillë.
Zoti Paul po ashtu është kundër planeve që procesi gjyqësor të kryesohet nga Senatori demokrat Patrick Leahy, në vend të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, John Roberts.
45 anëtarë republikanë të Senatit votuan kundër zhvillimit të gjyqit të martën,por hapja e procesit gjyqësor u miratua me 55 vota pro dhe 45 kundër, falë votës së të gjithë demokratëve dhe pesë senatorëve republikanë që votuan pro.
“Bazuar në formulimin që jep Kushtetuta, bazuar në rastet pararendëse dhe logjikën normale, është e qartë dhe kushtetuese që të zhvillohet gjyq ndaj një ish-zyrtari. Ish-Presidenti Trump kreu, sipas mendimit tim, shkeljen më të rëndë të kryer ndonjëherë nga një president amerikan,” tha kreu i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.
Ekspertë ligjorë kanë interpretime të ndryshme mbi kushtetutshmërinë e këtij procesi. Disa besojnë se “gjykimi edhe pas largimit nga posti” është i përligjshëm, duke argumentuar se presidentët që kryejnë shkelje në mbyllje të mandatit nuk duhet të jenë të paprekshëm nga procesi i parashtruar në Kushtetutë.
Edhe para votimit në Senat, shumë republikanë dukej se po hiqnin dorë nga mbështeja për ta shpalluar fajtor zotin Trump për nxitje të kryengritjes për ngjarjet e dhunshme të 6 janarit në Kapitol. Qindra mbështetës të zotit Trump sulmuan Kapitolin në përpjekje për të penguar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit të fituara nga demokrati Joe Biden.
Të 100 senatorët, 50 demokratë dhe 50 republikanë, bënë betimin të martën si juristë në gjyqin kundër zotit Trump, megjithëse hapja e gjyqit është shtyrë deri më 9 shkurt.
Ligjvënësit republikanë kanë në dorë fatin e zotit Trump, edhe pse mandati katër-vjeçar i ish-presidentit në Shtëpinë e Bardhë përfundoi më 20 janar me inaugurimin e demokratit Joe Biden.
Joe Biden, i cili ka shpërbyer 36 vjet si senator dhe 8 vjet në postin e nënpresidentit në administratën e Presidentit Obama, i tha rrjetit CNN të hënën se ai mbështet zhvillimin e gjyqit por nuk mendon se një numëri i mjaftueshëm republikanësh do të votojnë kundër zotit Trump për ta shpalluar atë fajtor.
Senatori Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, një mbështetës i zotit Trump që e ka këshilluar ish-presidentin për procedurat e ardhshme, tha se “ka vetëm një grusht republikanësh, dhe numri i tyre po bie, të cilët do të votojnë kundër tij (zotit Trump).”
Senatorë të shumtë republikanë kanë thënë se zoti Trump mban një pjesë të përgjegjësisë për sulmin e dhunshëm në Kapitol që la pesë të vdekur, duke përfshirë një oficer policie vdekja e të cilit po hetohet si vrasje. Në një tubim të 6 janarit pranë Shtëpisë së Bardhë, zoti Trump vazhdoi të shprehte akuzat e tij të pabazuara për manipulim të zgjedhjeve që, sipas tij, ia mohuan atij një mandat të dytë presidencial dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij të marshonin drejt Kapitolit dhe të “luftonin” për të penguar certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden.
Në javët pasuese, autoritetet arrestuan dhjetëra protestues që sulmuan Kapitolin, që në mbarë botën shihet si simboli i demokracisë amerikane, dëmtuan disa zyra të Kongresit dhe u përleshën me policinë. Veprimet e dhjetra protestuesve të tjerë janë ende duke u hetuar.
Por disa ligjvënës republikanë, megjithëse shpesh e kanë kritikuar zotin Trump, vunë në dyshim zhvillimin e një gjyqi në kohën kur ai është larguar nga posti dhe sugjeruan se protestuesit janë fajtorë për sulmin e dhunshëm.
“Ne do të dëgjojmë [argumentet ligjore kundër zotit Trump], por unë ende kam problem në lidhje me kushtetutshmërinë e gjyqit, dhe precedentin që ai krijon me përpjekjen për të dënuar një qytetar privat”, tha senatorja republikane nga Ajova, Joni Ernst.
“Ai tregoi udhëheqje të dobët, mendoj se të gjithë jemi dakord me këtë. Por protestuesit janë ata që hynë në Kapitol. Ata e bënë këtë veprim me vetëdije. Pra, ata mbajnë përgjegjësinë për këtë”,shtoi ajo.
Senatori republikan nga shteti i Uiskonsinit, Ron Johnson pyeti: “Pse po e bëjmë këtë? Nuk mund të mendoj për diçka më përçarëse dhe jo shëruese sesa një gjyq për dënimin e një presidenti tashmë të larguar nga detyra. Ky është thjesht një veprim hakmarrës. Kjo është qesharake.”
Të dielën, Senatori republikan nga Florida, Marco Rubio tha në emisionin “Fox News Sunday” se “ne thjesht do të kthehemi përsëri në atë që kemi kaluar në pesë vitet e fundit, duke e nxjerrë atë në gjyq.Ky do të jetë një veprim i keq për vendin.”
“Ky nuk është një gjyq penal. Ky është një proces politik dhe do të nxisë përçarjet që kanë paralizuar vendin”, shtoi ligjvënësi republikan.
Dy gazeta të mëdha, The Washington Post dhe The New York Times, thanë se sondazhet e tyre treguan një kundërshtim të gjerë midis senatorëve republikanë për ta dënuar zotin Trump. Washington Post tha se 29 nga 50 senatorët republikanë janë kundër dënimit të ish-presidentit, ndërsa New York Times tha se 27 prej tyre e kundërshtojnë këtë veprim.
Me 67 vota të nevojshme për ta shpallur fajtor, kjo me sa duket e lë fatin e zotit Trump në duart e një numri të vogël senatorësh republikanë nëse nuk shfaqen më shumë prova që e lidhin atë me sulmimin ndaj Kapitolit, dhe që do të mund t’i detyronin ata të rishqyrtonin vendimin e tyre për këtë çështje.
Disa republikanë, megjithatë, mbeten të hapur për mundësinë e votimit në mbështetje të dënimit, duke përfshirë udhëheqësin e pakicës republikane Mitch McConnell dhe senatorin nga shteti i Jutës,Mitt Romney, i cili ka qenë kandidat i republikanëve për president në zgjedhjet e vitit 2012 në të cilat ai humbi, dhe i vetmi republikan që votoi për ta dënuar zotin Trump në gjyqin e parë në Senat.
Senatori Romney, ndërsa nuk u zotua të votonte për ta shpallur fajtor, i tha rrjetit CNN të dielën se “unë besoj se nxitja për kryengritje është një vepër e dënueshme. Nëse jo, atëherë çfarë është ajo?”
Ai tha se beson se zoti Trump ishte “bashkëpunëtor në një sulm të paparë ndaj demokracisë sonë”.
Çfarëdo që të ndodhë në gjyqin e ardhshëm, zoti Trump do tëvazhdojë të jetë Presidenti i vetëm në historinë 245 vjeçare të Shteteve të Bashkuara ndaj të cilit ngrihen akuza dy herë, dhe i pari president që përballet me një gjyq në Senat pas largimit nga detyra.
Dhoma e Përfaqësuesve ngriti akuza ndaj tij në vitin 2019, për përpjekje për të marrë ndihmë nga Ukraina për të hetuar zotin Biden përpara zgjedhjeve të nëntorit. Senati e liroi atë nga akuza shkurtin e kaluar.
Ligjvënësja Madeleine Dean e Pensilvanisë, një nga ligjvënësit demokratë që do të luajnë rolin e prokurorëve në gjyqin kundër zotit Trump në Senat, i tha rrjetit CNN se ata do të “ofrojnë argumente të forta” për të nxjerrë në dritë “gënjeshtrën e madhe” se zoti Trump kishte humbur zgjedhjet për shkak të manipulimeve.
Ajo e quajti nxitjen e kryengritjes nga zoti Trump “një krim të jashtëzakonshëm, të urryer. Publiku amerikan e pa atë që ndodhi.”
“Ky ishte një moment i frikshëm … i nxitur nga presidenti,” tha ajo. “Kjo nuk mund të mbetet pa përgjigje.”
Dhoma e Përfaqësuesve i dorëzoi zyrtarisht akuzat ndaj zotit Trump për “nxitje të kryengritjes” në Senat të hënën në mbrëmje.
Dy javë më parë, Dhoma e Përfaqëuesve votoi me 232 pro dhe 197 kundër për ngritjen e akuzave ndaj zotit Trump. Dhjetë ligjvënës republikanë u bashkuan me të gjithë demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve në votimin për ngritjen e akuzës ndaj ish Presidentit Trump.
Për të shpallur fajtor ish-presidentin duhet që të paktën 17 republikanë në Senat të votojnë bashkë me gjithë bllokun e demokratëve, gjë që duket gjithnjë e më e parealizueshme, bazuar në komentet e senatorëve republikanë. Gjyqi pritet të fillojë më 9 shkurt./VOA