Rikthehen sulmet me gurë ndaj autobusëve që bëjnë linjën Shqipëri-Greqi dhe anasjelltas. Rasti më i fundit ka ndodhur mëngjesin e sotëm në afërsi të Kavajës, ku një autobus, i cili ishte duke u kthyer për në Tiranë është goditur me gurë dhe i është thyer xhami i parë.
Qytetari që ka qenë në autobusin në fjalë tregon se nuk e ka idenë se cilët kanë qenë agresorët apo për arsyen pse janë qëlluar.
Sipas tij, është e frikshme të udhëtosh në rrugët e Shqipërisë, ndërsa shoferit i janë dashur 30 minuta për të lajmëruar policinë.
Mesazhi i qytetarit për ministrin Saimir Tahiri:
“Kisha vetëm diçka për ti thënë këtij populli të mjerë dhe z. Saimir Tahiri! Kam qenë me autobusin e linjës së Greqisë duke u kthyer për në Tiranë dhe rreth orës 2 të mëngjesit, pa hyrë në Kavajë na kanë sulmuar me gurë autobusin duke i thyer xhamin përpara. Kemi qenë në ecje e sipër. Persona që nuk e dimë nga dolën e zoti i paftë! Pavarësisht kësaj që nuk ka asnjë siguri sot në rrugët tona e pavarësisht tmerrit brenda që përjetuam, shoferi ka tentuar mbi gjysmë ore për të njoftuar policinë dhe askush askund nuk ka ngrit telefonin! Faleminderit z. Saimir Tahiri! Kjo është policia që duam”.