Melikov shtoi se disa civilë – përfshirë atin Nikolai, 66 vjeç, i cili shërbeu për më shumë se 40 vjet në kishën ortodokse në Derbent – u vranë gjatë sulmeve, dhe se gjashtë “banditë” u “likuiduan”.
Disa media ruse i cituan zyrtarët duke thënë se së paku 15 oficerë të policisë u vranë gjatë sulmeve, të cilat ndodhën vetëm tre muaj pasi 145 njerëz u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën kur ekstremistët e Shtetit Islamik (IS) hapën zjarr ndaj një turme njerëzish në një sallë koncertesh në periferi të Moskës.
As IS-i, e as ndonjë grup tjetër nuk e mori përgjegjësinë për sulmet e 23 qershorit në rajonin e Kaukazit Verior.
Mediat shtetërore ruse i cituan zyrtarët ligjorë duke thënë se në mesin e sulmuesve ishin dy djemtë e kryetarit të qarkut të Sergokalas në Dagestan, të cilët u arrestuan nga hetuesit.
“Kjo është një ditë tragjike për Dagestanin dhe për tërë vendin”, tha Melikov, pasi zyrtarët njoftuan për tri ditë zie në këtë rajon.
Komisioni Hetues i Rusisë tha se ka nisur hetime penale për “aktet e terrorit”.
Sipas një organizate fetare lokale në rajonin me shumicë myslimane, sulmet ndodhën në një ditë feste fetare në kishën ortodokse ruse.
“Radikalët duan të na nxisin kundër njëri-tjetrit me të gjitha forcat e tyre, dhe duan t’i shkatërrojnë urat ndërfetare. Por, nuk do t’ia dalin”, tha organizata.
Edhe Melikov tha se sulmet ishin përpjekje për ta destabilizuar rajonin.
Kryetari i këshillit publik të Komuniteteve Hebraike të Federatës Ruse, Boruch Gorin, tha në Telegram se sinagoga në Derbent u përfshi nga zjarri pas sulmit.
Sulmi ndaj stacionit policor ndodhi në Makaçkala, kryeqytetin e Dagestanit.
Sulmues të panjohur e sulmuan një postbllok të policisë së trafikut. Sipas Ministrisë së Brendshme të Dagestanit, dy sulmues u vranë në Makaçkala, aeroporti i të cilit në tetor u mbyll për disa ditë, pasi një turmë që po bënte thirrje kundër hebrenjve e sulmoi atë pas mbërritjes së një avioni nga Izraeli.
Protestat kundër hebrenjve shpërthyen në disa qytete në këtë rajon pas sulmit të 7 tetorit në Izrael nga Hamasi, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Disa muaj më vonë, pas sulmit vdekjeprurës më 22 mars në sallën e koncerteve Crocus në afërsi të Moskës, Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) i arrestoi katër persona në Dagestan nën dyshimin se u kishin dhënë të holla dhe armë pjesëmarrësve.
Përgjegjësinë për sulmin e mori një degë e IS-it, e njohur si Shteti Islamik-Khorasan.
Hetuesit rusë thanë se sulmi ishte kryer nga katër burra, të gjithë shtetas të Taxhikistanit.\rel