Një operacion ndërkombëtar droge është realizuar në Greqi dhe Ekuador në bashkëpunim me DEA-n amerikane, nga ku kanë rënë në pranga 10 shtetas, ndërsa janë kapur 382 kilogramë kokainë, që kishte për destinacion Australinë.
Pas këti operacioni, policia greke ka dalë në një deklaratë për mediat, ku tha se 3 prej të arrestuarve u vunë në pranga në Greqi dhe 7 në Ekuador të moshës 23-63 vjeç.
Mësohet se organizata kriminale ishte e përbërë nga dy grupe, ndërsa të ardhurat e saj llogariten në mbi 11 milionë euro. Janë sekuestruar në Ekuador 382 kg kokainë dhe në Greqi 2 pistoleta, 223 fishekë dhe 2 peshore.
Prej të arrestuarve në Greqi, është një shqiptar i quajtur Ilia, 41 vjeç, me shtetësi shqiptare e kombësi greke. Ai dyshohet se në bashkëpunim me grekun e arrestuar një 63-vjeçar, ishin krerët e grupit kriminal dhe përgjegjës për planifikimin, organizimin, financimin dhe modifikimin e transportit detar me velierë.
Ndërkohë mësohet se në pranga ka rënë dhe vëllai i shqiptarit të quajtur Ilia, i cilësuar si kapobandoja i grupit. Policia bën me dije se ai është prangosur në Ekuador.
(B.B/ Faxweb.al)