Në ujërat shqiptare, tanimë prej disa vjetësh ankorohen ato që një njihen si “superjahte”.
Çfarë ka përbërë lajm ditët e fundit, ka qenë vizita e themeluesit të “Amazon”, Jeff Bezos me superjahtin e tij “Koru” së bashku me ankorimin e “superjahtit” “Opera” të Ministrit të Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Vetë Kryeministri Edi Rama i ka dhënë mjaft zë bumit turistik që përfshiu vendin tonë këtë vit. Në një postim në Facebook, Rama ka shpërndarë disa foto të këtyre lundruesve gjigantë.
Rama: Lürssen dhe Koru nuk janë emrat e asnjë personazhi vizatimor, por superjahtet luksoze që kanë zgjedhur Durrësin për t’u ndalur në këto ditë të para të shtatorit.
Sezoni ka qenë fantastik për Portin e Durrësit, me 257 jahte të mëdha turistike dhe 21 kroçera që janë mikpritur nga autoritetet shqiptare, duke qenë vetëm një shembull i vogël i flukseve të shtuara turistike, të cilat do të rriten ende më shumë falë investimeve dhe transformimeve të mëdha në infrastrukturën portuale që do të marrin jetë hap pas hapi.
Ajo që nënvizohet zakonisht në media është furnizimi i tyre me karburant, për të vazhduar rrugëtimin e tyre lundrues në shtete të tjera.
Koru, 127 metra i gjatë u furnizua me 170 mijë litra karburant për të shkuar më pas në Itali.
Kryeministri bën me dije se në këtë “sezon fantastik”, siç e cilëson kanë qenë 257 jahte të mëdha turistike dhe 21 kroçere që kanë vizituar Shqipërinë.
Rama shpesh në deklarata të ndryshme thekson se deri në vitin 2030, Shqipëria do të ketë një fluks të shtuar të turizmit, gjë e cila mund të përdoret në zhvillim të mëtejshëm të vendit.
(Xh.H/FaxWeb.al)