Ekipi përfaqësues i Kosovës ka arritur të sigurojë fitore të rëndësishme, me rezultat 2:1 në ndeshjen kundër Republikës Çeke, e cila u zhvillua sot në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.
Fitorja e sotshme e “Dardanëve” jo vetëm që e vazhdon ecurinë e ndeshjeve pa disfatë në 15 të tilla, por edhe ia jep Kosovës tri pikë të rëndësishme në ëndrrën për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020.
Çekia fillimisht e dëshmoi se pse është në pozitën e 43-të në ranglistën e Kombëtareve të FIFA-s, duke kaluar në epërsi në minutën e 16-të të ndeshjes përmes një goditjeje nga Patrick Schick.
Megjithatë, “Dardanët”, të cilët radhiten të 120-tët në listën e FIFA-s, e barazuan këtë rezultat vetëm katër minuta më vonë. Pas shumë aksioneve të bukura, në minutën e 20-të shënoi Vedat Muriqi.
Për t’i shkuar një hap më afër kualifikimit në EURO 2020, Mërgim Vojvoda e kaloi Kosovën në epërsi në minutën e 66-të, pas pasimi të mirë nga Valon Berisha.
Kështu, para një stadiumi të mbushur me tifozë – të cilët vazhdimisht brohorisnin e duartrokisnin në përkrahje të “Dardanëve” – dhe në mungesë të pesë futbollistëve standardë – Arbër Zenelit, Milot Rashicës, Herolind Shalës, Hekuran Kryeziut dhe Benjamin Kolollit – skuadra e Bernard Challandes i mori tre pikët që, të paktën momentalisht, e dërgojnë Kosovën në kreun e Grupit A, shkruan Express.
Nga gjithsej katër ndeshje të zhvilluara deri më tani, Kosova i ka siguruar dy fitore – kundër Çekisë dhe Bullgarisë – dhe dy barazime – kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.
Anglia radhitet e dyta në Grupin A, pas Kosovës, megjithatë xhiron e kësaj ndeshjeje anglezët do ta zhvillojnë sot në orën 18:00 kundër Bullgarisë.
Kosova do ta vazhdojë ëndrrën për kualifikim në EURO 2020 të martën, kur do të përballet me Anglinë në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”.
Megjithatë, Kosova e ka edhe një rrugë të dytë për ta siguruar pjesëmarrjen në Evropian, përmes play-offs të Ligës së Kombeve, ku në gjysmëfinale do të takohet me Maqedoninë, e në finale mund të përballet me Bjellorusinë ose Gjeorgjinë.