Jo vetëm fonde nga bizneset për punët publike, por dhe nga nxënësit e shkollave.
Kryebashkiaku Erjon Veliaj nën petkun e një nisme të fisme “mbill një pemë” ka gjetur dhe një burim të ri për sponsorizimin e fushatave të tij; prindërit shqiptarë.
“Kryebashkiaku i Tiranës ka urdhëruar arsimtarët dhe drejtoritë e shkollave të Tiranës që t’ju kërkojnë nga 100-500 lekë të reja për çdo femijë shkollor për të mbjellur pemë. Arsimtarët tek shkolla “Pal Ëngjëlli” kanë kërcënuar fëmijët për të sjell paratë e kërkuara ose do t’u ulin notën“, ky ka qenë denoncimi i mbërritur në redaksinë e ‘’Faxweb”, i cili na ka vënë në lëvizje për të pyetur në të tjera shkolla të kryeqytetit.
Nisma/ Krah bashkisë dhe MASR, por me paratë e prindërve:
Pak kohë më parë kryebashkiaku Erjon Veliaj shpalli nismën “100 mijë pemë deri në mars”. E pamë dhe të lagur nën shiun e ftohtë të disa ditëve më parë teksa po mbillte vetë disa pemë në Petrelë.
Ndërkaq ftesës së kryebashkiakut për të mbjellë pemë i është përgjigjur vetë Ministria e Arsimit e cila sipas të burimeve të ‘’Faxweb.al” ka shpërndarë një urdhër për të gjithë drejtoritë e shkollave: Çdo nxënës duhet të paguajë 100 lekë, ndërsa në shkollat jopublike nxënësve u janë kërkuar dhe 500 lekë.
Kërkesës tonë për informacion, Bashkia e Tiranës iu përgjigj me refrenin: Na shkruani në [email protected] dhe do t’ju kthejmë përgjigje brenda 10 ditëve. Ndërkohë mbledhja “vullnetare” e parave nëpër shkolla vijon…
Nga ana tjetër Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve kësaj nisme i ka vënë tashmë dhe emër: ‘’Kurorat e gjelbërta të Shkollave”, por sipas zërit zyrtar të kësaj ministrie kontributet nuk janë të detyrueshme.
Burimet nga ky institucion gjithashtu nuk bëjnë me dije se a ka një projekt të qartë dhe se si do të përdoren paratë e dhjetëra mijëra prindërve shqiptarë.
Paratë, të gjitha kokërr më kokërr….
“Kam dy fëmijë, as ata se dinë se pse duhet me pagu“, shprehet një nga prindërit e shkollës “Ali Demi”. Ndërsa për të kuptuar më shumë mjafton të pyesësh të moshuarin që shet patatina e ku prindërit ndalen të thyejnë lekët.
Ndërkohë shumë syresh kanë deklaruar se nuk kanë ndërmend të paguajnë asnjë lek dhe se janë detyruar të bindin fëmijët e tyre për vendimin e marrë.
”Sot më kanë kërkuar para ne shkollën e vajzes së madhe edhe në kopësht, tek e vogla. Arsyeja është, sepse Bashkia e Tiranës ka hapur një fushatë ku i kërkohet të gjithë prindërve të paguajnë para për të mbjellë pemë!
Natyrisht qe nuk dhashe asnje lek, por mu desh te bej pune bindese me vajzen time, e cila ndjehej ne siklet qe une nuk po paguaja, si shumica e te tjereve.
Me duhet te them se kjo eshte nje risi e nje politike te pacipe qe, pervec se na trazon stomakun cdo dite neper ekrane me spektakel ordiner reklamash qe fyejne inteligjencen e publikut, por kerkon edhe t’ia paguajme propaganden.
Per dijeni te Lali Erit, ne paguajme taksa (te cilat, per me teper, vete Lali i ka rritur sa askush tjeter), me te cilat ai ka per detyre te mbjelle peme, te rregulloje rruge, te ndertoje shkolla e kopshte, te menaxhoje hapesiren e territorin, etj, gjera keto qe nuk i ka bere. Lali Erit do ti kerkoja ti perdore me mire parate e taksave te mija, e jo me t’i jap te tjera.
Kjo eshte bashkia me buxhetin me te pasur qe ka ekzistuar ndonjehere ne Shqiperi (si pasoje kjo edhe e ndarjes se re te territorit), ndaj t’iu lypesh qytetareve para per te kryer detyren tende, eshte thjesht pafytyresi“, shkruante pak ditë më parë Ergys Mërtiri.
Një tjetër qytetare Bruna Ismaili, aktiviste dhe prind një ditë më parë reagoi në Fb duke u shprehur: ”Erion Veliaj na eshte bere si Shullazi, gjobvenes dere me dere te qytetareve”.
Ndërkohë në oborret e shkollave “1 Maji” dhe “Ali Demi” prindërit na pohojnë që u janë kërkuar lekë.
“Do lekë Erion Veliaj që të mbjellë pemët, i ka detyruar të gjithë fëmijët. Mbeta duke thyer qindarka për prindërit”, shprehet një i moshuar që shet patatina para shkollës.
Ndërkohë nëndrejtoresha e shkollës ” Ali Demi” nuk pranoi të komentonte edhe pse ishte në dijeni të nismës duke na deleguar për te drejtoresha e cila nuk ndodhej në zyrë, për shkak te nje problemi shëndetësor.
E njëjta situatë paraqitet dhe në shkollën “1 Maji”, po ca më keq roja nuk na lejoi të futeshim në ambientet e brendshme.
Sipas tij drejtoresha kishte marrë urdhër që asnjë gazetar të mos hynte në ambientet e Brendshme pa marrë autorizim nga ana e Drejtorisë Arsimore Rajonale. Edhe aty fëmijët e pranojnë haptazi që kanë paguar para.
E njëjta situatë paraqitet edhe në gjimnazin ‘’Qemal Stafa”, ku gjimnazistët shprehen se i kanë paguar tashmë paratë për mbelljen e pemëve. Nga ana tjetër një mesazhet vijonë të mbërrijnë në redaksinë e ‘’Faxweb”.
Akoma më keq paraqitet situata në një nga shkollat private të kryeqytetit, ku prindërit shkruajnë se tarifa është edhe më e lartë, 500 lekë.
“500 lekë të reja për femijë me pretekstin e mbjelljes së ullinjve, si kontribut për vendin. Ata janë fëmijë ju duket sikur bëjnë diçka të mirë, nuk kuptojnë që ne paguajmë taksa, dhe shumë para për ti shkolluar. Ka 3 ditë që janë marë lekët dhe nuk është mbjellë asgjë.
Nuk i kontrollojmë dot ku shkojnë këto lekë. Mbase shkolla kontribut për Bashkinë, jo për vetë shkollën. Mbase Bashkia kërkon kontribut nga bizneset, dhe këto e vjelin indirekt nga fëmijët, dmth direkt nga prindërit”, shprehet një zonjë.
Si po na i edukojnë fëmijët….
“Nisma e Ministrisë së Arsimit është ‘Kurorat e Gjelbra të Shkollave’, një nismë vullnetare që përfshin të gjithë skuadrën e Arsimit, por theksoj, pa detyrim ndaj askujt. Kjo nismë do shtrihet në të gjitha shkollat, e kemi nisur me shkollën e parë 9-vjecare në Shëngjin, pak ditë më parë.
Nisma të tilla janë dhe duhet të jenë pjesë e shkollave për të kultivuar brezin e ri me dashuri për natyrën”, thuhet në komunikimin zyrtar të MASR.
Zoti kryebashkiak dhe zonja ministre, duke i detyruar të paguajnë do t’ua shtoni dashurinë për natyrën fëmijëve tanë?!
(Elsa Kallanxhiu/FAXWEB)