Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka publikuar një video ku denoncon keqpërdorimin e fondeve publike nga qeveria dhe flet për pasojat e rënda të koncesioneve të dhëna në mënyrë abuzive.
Sipas Tabakut, deri më sot janë paguar 1 miliard euro nga buxheti i shtetit për projekte që, në pjesën më të madhe, nuk ekzistojnë
Tabaku thekson gjithashtu se shifra totale e koncesioneve të firmosura ka arritur në 3 miliardë euro, duke i quajtur këto projekte si fonde të shpërdoruara për interesat e një pakice të privilegjuar.
“95% e qytetarëve paguajnë taksat në mënyrë të ndershme, punojnë 2 apo 3 punë dhe përballen me barrën e rëndë të shtetit, ndërkohë që një grup i vogël përfiton nga ky sistem i padrejtë,” shprehet Tabaku.
Në mesazhin e saj, deputetja e Partisë Demokratike bën thirrje për ndryshimin e modelit ekonomik të vendit, duke propozuar tri hapa konkrete: Transparencë e plotë për çdo shpenzim të buxhetit të shtetit; Drejtësi dhe barazi në shpërndarjen e fondeve publike, duke ndalur klientelizmin dhe korrupsionin; Vlerësim për punën dhe kontributin e çdo qytetari, nga sipërmarrësit e deri te të rinjtë dhe pensionistët.
“Ky model ekonomik ka favorizuar një pakicë, ndërsa shumica e shqiptarëve luftojnë çdo ditë për të mbijetuar. Duhet t’i japim fund këtij sistemi të padrejtë,” përfundon Tabaku në mesazhin e saj.