Në vijim të seancës plenare ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Në fjalën e tij drejtuar opozitës por edhe deputetit Ben Blushi që nuk i kursey akuzat ndaj mazhorancës me në krye Ramën, Tahiri tha se ndihet i zhgënjyer.
“Mos do ishte më mirë të mos bënim gjë? E të humburit do ishin qytetarët? Cila është alternative më e mirë që propozoni ju? Të rrinim si ju? Mos luftonim kanabisin? Zgjodhëm rrugën më të vështirë, ta luftonim fenomenin. Të punonim për këtë çështje. Zgjodhëm rrugën më të vështirë dhe të duhurën, për ta çuar vendin aty ku duhet.”, u shpreh në krye të fjalës ministri i Brendshëm.
Më tej, ai u ndal në akuzat e Ben Blushit dhe opozitës për Klement Balilin, ku Blushi u shpreh se Balili është i LSI-së ndaj nuk kapet: “Kam dëgjuar shumë teori për Balilin, e fundit është që Balili është i LSI-së, këtu dallon Blushi nga Saliu, Blushi shprehet se e mbajmë po ne për shkak të LSI-së. Është abuzive. Ky parlament e ka kthyer në rrugë të drejtojë gishtin ndaj kryeministrit e ministrave edhe kur është arrestuar. Nuk ka rëndësi i kujt është Balili, ai do të arrestohet një ditë e më parë. Për ne ata që shkelin ligjin nuk ka rëndësi çfarë tesere partie mbajnë në xhep. Këtë bënit ju në të kaluarën dhe mendoni se e bëjmë dhe ne, sipas flamujve partiakë. Por ne këtë nuk e bëjmë.”
“Sa vite iu deshën CIA-s, DEA-s për të arrestuar Escobarin e vërtetë? Çfarë do të thotë kjo? Po sa vite iu deshën Italisë për të arrestuar kokat e mafias në Itali? Sipas logjikës suaj kështu është. Nuk do reshtim së bëri atë që na kanë besuar qytetarët. Rëndësi për ne ka barazia përpara ligjit. Çudi si flisni për reformën në drejtësi dhe Vettingun? Njerëz që flasin këtu por s’e çojnë gishtin tek e vërteta. Po këta gjyqtarët për një njeri që ka bërë 5 vrasje, e ulën dënimin, përse nuk flisni për ta? Përse iu duhet një viktimë politike tek mazhoranca? Pse i merrni në mbrojtje gjyqtarët?”, vijoi Tahir duke i kërkuar llogari palës akuzuese. (XH.A/SHUPLAKA)