Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, pak orë pas zyrtarizimit të shkarkimit të tij nga ky post i rëndësishëm, u ka dërguar mesazhe falenderimi drejtuesve të policisë dhe bashkëpunëtorëve të tij, për kontributin e tyre në luftën ndaj krimit.
Mirëpo duket se mesazhin në seri ia ka dërguar gabimisht edhe Myzafer Elezit, ish-drejues i lartë i Policisë. Ky i fundit mesazhin e Tahirit e ka publikuar në rrjetet sociale, dhe ka deklaruar se këtë mesazh ish-ministri e ka dërguar me paturpësinë më të madhe, pasi ka mbushur vendin me kanabis.
“Ky paloministër, pasi mbushi vendin me kanabis, rilindi trafikun me gomone, futi në polici shumë ish të përjashtuar, politizoji në ekstrem Policinë e Shtetit, nxorri jashtë organizatës shumë punonjës me përvojë dhe të trajnuar nga organizatat partnere si ICITAP, PAMECA, OSCE, EUROPOL, etj, sot me paturpësinë më të madhe ka kurajo dhe më falenderon për kontributin tim në organizatën e Policisë.”, reagon Elezi.
Në shkrimin e tij Elezi shton se pas këtij mesazhi, ka një pyetje për Tahirin, pyetja është: “Kur urdhërove lirimin tim, a ishe krenar për punën time që po ma përmend tani? A mos vallë kjo sms është një shenjë pendese?”
Nëse kjo është shenjë pendese, mesazh i gabuar, apo asnjëra nga të dyja nuk mund ta themi me siguri. Por ajo që është e sigurt është se herë tjetër Tahiri do mendohet mirë përpara se të dërgojë mesazhe në celular.
Muzafer Elezi në kohën e PD-së ka qenë drejtor kufiri dhe ka patur pozicione të ndryshme. Ndërsa në peridhat e PS-së në qeverisje, ka punuar te Zyra e marrëdhënieve ndërkombëtare si edhe Akademinë e Policisë.
REGIMI I PLOTË I ELEZIT
“Të nderuar miq,
Sot, në numrin tim të telefonit më ka ardhur një sms nga Saimir Tahiri, i cili më falenderonte.
Ky paloministër, pasi mbushi vendin me kanabis, rilindi trafikun me gomone, futi në polici shumë ish të përjashtuar, politizoji në ekstrem Policinë e Shtetit, nxorri jashtë organizatës shumë punonjës me përvojë dhe të trajnuar nga organizatat partnere si ICITAP, PAMECA, OSCE, EUROPOL, etj, sot me paturpësinë më të madhe ka kurajo dhe më falenderon për kontributin tim në organizatën e Policisë.
Ja çfarë sms më ka dërguar:
“Të falenderoj pa fund për gjithçka arritëm të bënim që nga dita e parë. Jam krenar dhe i lumtur për policinë që krijuam, kjo edhe falë punës tënde. Më të fortë do jemi, jepiu forca. Saimir Tahiri.
Fillimisht mendova t’i përgjigjem me një sms, siç ai e meriton, por nuk ia vlen. Një pyetje doja t’i drejtoja: Kur urdhërove lirimin tim, a ishe krenar për punën time që po ma përmend tani? A mos vallë kjo sms është një shenjë pendese?
Ai tashmë iku duke lënë pas imazhin më të keq të mundshëm. Droga do t’i bëhet hije, në çdo hap që hedh. Më mirë po e injoroj duke mos i kthyer përgjigje. Ai tashmë është kohë e shkuar.” (D.D/Shuplaka)